TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “me Reformën Zgjedhore po ndodh ajo që u tha qartë edhe nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim. Topi është në fushën e Partisë Demokratike dhe përsa na takon, ne e kemi mbyllur këtë proces. Mendoj që kemi bërë të gjitha koncesionet e arsyeshme dhe kemi në dorë një produkt të mirë”.

Në një intervistë televizive, kryeministri Rama theksoi se “nëse do t’i qëndronim strikt kornizës së rekomandimeve të OSBE-ODIHR ne nuk duhet ta diskutonim fare përfshirjen e teknologjisë në këtë proces. ODIHR nuk e inkurajon përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. Ka vende të cilat e kanë edhe antikushtetuese si Gjermania dhe përsa na takon ne kemi bërë një studim shumë serioz pas zgjedhjeve të 2017 për të përgatitur zgjedhjet e 2019 me dëshirën për të adresuar këtë problem në mënyrë që alibia e madhe e elektronikës çudibërëse të binte”.

“Faktikisht nuk është diçka e pabëshme përsa i takon identifikimit biometrik. Votimi elektronik është i përjashtuar kategorikisht. Në këtë rast flasim për kërkesën e opozitës për identifikimin elektronik, që do të thotë një identifikim offline, pra jo për të nxjerrë përputhshmërinë e gjurmës së gishtit të votuesit me përputhshmërinë e gjurmës së të njëjtit emër në sistemin biometrik. Duke pasur një sistem të tillë votimi dy herë është diçka që lë gjurmë dhe në rast se ndodh, kapet dhe në rast se kapet kemi një Kod Penal shumë të ashpër”, – nënvizoi Rama.

I pyetur nëse realizohet deri në zgjedhjet e ardhshme, Kryeministri Rama theksoi se “personalisht jam pesimist sepse ODIHR kërkon gjithmonë që në rast se një vend zgjedh të shkojë në drejtim të tekonologjisë, gjë që ODIHR nuk e inkurajon, në asnjë mënyrë nuk duhet të shkojë menjëherë dhe ata sugjerojnë një ecje me faza me projekte pilot. Ne donim që në 2019, zgjedhjet lokale të shërbenin pikërisht për të parë funksionimin. Problemi që kemi sot është koha, kemi humbur shumë kohë, jo për shkakun tonë se ne kemi qëndruar në pritje. Kemi 3 vjet e ca që presim opozitën të kthehet në tryezë”.

Kreu i qeverisë tha se “nuk bëhen rregullat e lojës me molotov, por bëhen me dialo