ATSH- A. Fortuzi/ Regjisori Gëzim Kame gjatë një interviste televizive tha sot se që pas viteve ’90 kanë filluar kërkesat për një teatër të ri. Sipas tij, nevoja për ndërtimin e një teatri të ri ka qenë një kërkesë e hershme e aktorëve dhe regjisorëve.
Regjisori Kame i cili ka qenë edhe drejtor i këtij teatri tregon edhe një moment kur mori premtimin nga ish-presidenti Sali Berisha.
“Unë po flas për historikun si ka filluar kjo punë. Po atë vit, pas një muaj ishin festat e 28-29 Nëntorit, dhe ishim në Pallatin e Brigadave, kur me thërret Fatos Nano, dhe thotë: ‘Do ta ndërtoni teatrin?’, i thashë: ‘Po’. Me pyeti sa kushton, i thashë parashikimet janë për 12 milionë dollarë. Mirë, tha, bëjmë një bast, nëse ju gjeni 12 milionë dollarë, do futem unë si shtet me 10 milionë dollarë. I thashë ‘po e ke të humbur bastin, ne i nxjerrim shumë shpejt ato’. Ai më dha dorën, e bëri si ata fëmijët, e preu bastin Agim Zajmi. Më tha ‘e ke të humbur’, dhe sigurisht e kisha të humbur, sepse ai nuk e dëshironte këtë gjë”, – tha Kame.
Pas këtyre, ai tregon për ish-ministrin e Kulturës Edi Rama. “Edi Rama në funksionin e ministrit të Kulturës ka ardhur me Kadri Roshin, prej krahu dhe ka mbledhur gjithë kolektivin e teatrit dhe ka thënë: ‘Kur t’i vijë koha, do e bëjmë, t’i gjejmë lekët’. Ajo sallë që u rrënua pardje quhej salla ‘Kadri Roshi’. Kadri Roshi ka qenë një ndër të parët që ka qenë për shembjen e këtij teatri se është turp”, – shprehet Kame. /j.p/r.e/