Investimet që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, po realizon në bashkëpunim me Bankën Botërore në kuadër të projektit për rehabilitimin e skemave të ujitjes në bashkinë e Maliqit, kanë dyfishuar sipërfaqen e ujitshme të tokave bujqësore në këtë zonë.
Investimet kanë konsistuar kryesisht në rehabilitimin e kanaleve ujitëse ekzistuese në fshatrat: Pojan, Zëmblak, Burimas, Terovë, Goce, Gjyras, Bickë, Fshat Maliq, Plovisht, Libonik, Drithas, Vloçisht e Vashtëmi.
Ndërsa puna me mjete të rënda është përqendruar në kanalin ujëmbledhës Reka, i cili mbledh ujërat nga zona e Libonikut. Ky kanal 2 km i gjatë, i bllokuar për shkak të mospastrimit të tij prej shumë vitesh, sillte edhe përmbytjen e tokave bujqësore të fermerëve të zonë që zë rreth 40 ha. Punimet në këtë kanal po shkojnë drejt përfundimit ndërsa do të ndërhyhet edhe në zona të tjera, që shfaqin të njëjtat problematika.
Këtë fundjavë u hap edhe sezoni i vaditjes për këtë vit, në fushat e Maliqit. Falë punës dhe ndërhyrjeve efikase nga ana e Bordit të Kullimit dhe Ujitjes, bashkia Maliq, ka një shtim të konsiderueshëm të sipërfaqes së ujitshme në fushën e Maliqit.
Thatësirat e javëve të fundit kanë vënë në lëvizje fermerët për të ujitur kultura si qepë dhe patate, por edhe fushat me mbjelljet e pranverës.
Në total, projekti i rehabilitimit të skemave të ujitjes për bashkitë Has, Kuçovë, Maliq dhe Lushnjë llogaritet 1.4 miliardë lekë.