Ka një zhvendosje të vëmendjes tek ekonomia lokale, si një mënyrë për të përmirësuar jetesën e komuniteteve që jetojnë aty, për të krijuar themele të forta zhvillimi në një kombinim sipërmarrjesh tradicionale dhe inovative.
Edhe mbështetja e qeverisë gjermane vitet e fundit është fokusuar pikërisht në këto dimensione: ngritja e një modeli të qëndrueshëm që lidh së bashku nga turizmi e agroturizmi tek aftësimi i të rinjve, mbrojtja e mjedisit, nxitja e start-up, konservimi i pasurive natyrore. Të gjitha këto janë materializuar në disa projekte konkrete, që kanë marrë jetë e po zhvillohen në bashki, të tilla si Pogradeci, Korça, Pusteci e me radhë. Këto modele janë rruga që po shtrohet për projekte të ardhshme që nëse mbështetet siç duhet, mund të rrisë disi mirëqenien dhe të ndalë hemorragjinë e largimit nga Shqipëria
Hilmiu apo Uli, siç e thërrasin të gjithë, kishte ndërtuar jetën në shtetin fqinj. Me përvojë 15-vjeçare si trajner dhe kampion në fushën e hipizmit në Greqi, mori nismën të kthehej te rrënjët e tij dhe me bashkëshorten Daniela dhe vëllain, investuan kursimet e një jete në fermë në Korçë. Vetëm dy kilometra në rrugën që të çon drejt Voskopojës ndodhet ajo që u pagëzua si “Shtëpia e Kuajve”.
Ferma ka të kombinuar që nga shërbimi i akomodimit tek restoranti me produkte tipike të zonës dhe një pistë për kalërim. Emri i fermës nuk është i rastësishëm. Në të gjenden 30 kuaj të racave të ndryshme si Angloarab, Lipizzaner Anglez gjak të pastër, ku ofrohen kurse hipizmi, guida turistike për të cilat siç na tregon bashkëshortja e Hilmiut, interesi ka ardhur në rritje.
“Ne jemi një biznes relativisht i ri. Kemi pak më shumë se një vit dhe interesi i turistëve për të na vizituar ka qenë në rritje të vazhdueshme. Kryesisht shohim që të huajt kanë një preferencë të dukshme si për pjesën e ambienteve tona, ashtu edhe për guidat me kuaj që po zgjerohen me destinacione.
Biznesi është familjar dhe punojmë të gjithë në punët përkatëse, ndërkohë që jemi të lidhur edhe me banorët e zonës përreth ku sigurojmë një pjesë të produkteve që shërbejmë këtu” – na tregon Daniela.
Sigurisht për një biznes të ri duhet kohë që të konsolidohet dhe të zërë vendin e vet, por si fillim duket se ata janë të kënaqur me mënyrën sesi po ecën ferma. Dëshira e tyre është të zgjerojnë më tej numrin e kuajve, por kjo ndoshta në një moment të dytë, pasi çmimet mbeten të larta.
Lulëzimi i fermave agroturistike në vend ka nisur të evidentohet vit pas viti dhe në mbështetje të ekonomive lokale nuk kanë munguar edhe projektet. Një prej tyre është edhe Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural, i mbështetur nga GIZ, i cili ka nisur nga viti 2019 me një fond 15.75 milionë euro dhe përfshin ndër të tjera rajone si Shkodra, Dibra dhe Vlora.
Kotelli: Fuqizohet roli i gruas, mbështetja shkon zinxhir
Numri në rritje i agroturizmeve duket se ka nxitur këtë grup të bashkohen së fundmi rreth një shoqate, Shoqata e Agroturizmeve Shqiptare. Sofjola Kotelli, e cila ndjek nga afër projektin për zhvillimin e qëndrueshëm rural, shprehet se “bumi” i agroturizmit nisi pas paketës lehtësuese të vitit 2018.
Trajtimi me disa vendime lehtësuese, por edhe përfshirja në disa vendime e agroturizmit si aktivitet duket se dha nxitje për investime të shumta, duke ndikuar në tërësi edhe tek ekonomia lokale e zonave ku zhvillohen këto aktivitete.
Kotelli u shpreh se agroturizmet kanë një vlerë të shtuar kur diskutohet pjesa e rolit që merr gruaja, që 80% të rasteve janë ato që menaxhojnë apo marrin vendime në këto sipërmarrje.
Ne i kemi bërë qeverisë disa propozime për të përmirësuar kushtet për këtë sektor. Pas studimeve në terren dhe konsultimeve, kemi dorëzuar një draft. Ndërkohë që një ligj i ri vetëm për agroturizmin do të jepte një mbështetje të madhe për sektorin. Efektet që nisma të tilla kanë në zonat ku zhvillohen janë të dukshme dhe të matshme. Çdo njësi e kësaj natyre transmeton efektin e vet tek ekonomia lokale, me produktet dhe punësimin që gjeneron” – tha Kotelli.
Pusteci, në tentativa për të zhvilluar turizmin, mungojnë strukturat akomoduese
Vetëm disa kilometra larg nga Korça ndodhet Pusteci. Bashkia më e vogël në vend, në përbërje të së cilës janë 9 fshatra. Zhvillimi turistik i këtij rajoni është në përpjesëtim të zhdrejtë me bukuritë natyrore që ka. Parku Kombëtar i Prespës, më i madhi në vend, është një “ofertë” e jashtëzakonshme turistike me pamje mahnitëse të natyrës dhe liqenit. Por një nga “ngërçet” që has zona është mungesa e strukturave akomoduese.
Cveta Trajçe, nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtën e Mjedisit Natyror në Shqipëri në këtë zonë, kur e pyesim për struktura, na pohon se nuk ka shumë.
“Për turistët është problem kur vijnë, pasi vërtet nuk ka shumë mundësi apo alternativa për të qëndruar. Një pjesë e mirë e banesave janë bosh, pasi banorët kanë emigruar ose nuk jetojnë këtu. Investime nuk bëhen shumë pasi ka probleme me pjesën e pronësisë në kuptimin që ende nuk janë bërë legalizime. Unë për shembull kam shtëpinë e dajës,, që është bosh dhe kam menduar ta kthej në një shtëpi mikpritëse, por kur e mendoj sesa investime dhe angazhim duhet, tërhiqem disi”, – nënvizon ajo.
Në zonë nuk ka shumë të rinj. Pjesa e mbetur në fshatrat rrotull janë pleq. Të rinjtë janë larguar, ose me studime, dhe nuk kthehen më ose kanë emigruar. Vetë Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtën e Mjedisit Natyror në Shqipëri e ka të vështirë të gjejë punonjës për këtë rajon.
Investimet që mbështeten nga qeveria gjermane nuk kanë munguar herë pas here në këtë rajon. Një i ngjashëm me fokus turizmin pritet që të nisë në fillim të vitit 2023 dhe është ndoshta një ndër investimet që pritet t’i japë një tjetër dinamikë zhvillimit turistik të zonës.
Për ecurinë e këtij projekti iu drejtuam për asistencë programit “Eu for Inovation”, i financuar nga BE dhe zbatuar nga GIZ, ku mbështetja ka qenë e shumëfishtë”, – tha Filo. /Monitor
Top Channel



























