Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja së bashku me deputetin Florenc Spaho zhvilluan takime derë më derë me banorë të lagjes ”28 Nëntori” për të diskutuar problematikat e përditshme, por edhe projektet e investimeve të parashikuara në buxhetin e këtij viti.
Si një zonë informale, kjo pjesë e lagjes “28 Nëntori”, në rrugën “17 Marsi” ka pasur problem kryesor kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza.
Shqetësimi i ngritur nga banorët mori zgjidhje dhe pas kanalizimeve, kryetari i bashkisë theksoi se do të vijojë puna për asfaltimin e rrugës:
“Është faza e fundit e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe menjëherë do vijojmë me asfaltimin e rrugës. “17 Marsi” ka qenë një nga rrugët më afër qytetit dhe përherë është konsideruar si zonë informale. Sa herë kam ardhur në këtë zonë më keni kërkuar investimin në rrugë dhe tashmë po e bëjmë. Punët po i bëjmë ne, kanalizime, rrugë, shkolla e kopshte.
Ky është qëllimi jonë, të përmirësojmë cilësinë e jetesës së banorëve në çdo cep”-theksoi Llatja.
Deputeti i kësaj zone Florenc Spaho vuri në dukje sfidat me të cilat është përballur bashkia në 4 vitet e fundit, e megjithatë, sipas tij, investimet nuk janë ndalur asnjë ditë dhe kjo falë përkushtimit dhe vëmendjes së kryetarit të bashkisë:
“Faleminderit kryetar sepse më shumë se 300 shtëpi në këtë zonë përfitojnë nga ky investim. Ndërhyrja duhet të ishte kryer më herët, por ti e dhe fjalën para një viti e gjysëm dhe e mbajte edhe pse jeni përballur me disa sfida.
300 familje përfitojnë dhe siç e thanë banorët, fëmijët nuk do bëhen më me baltë kur të shkojnë në shkollë.
Elbasani po ndryshon çdo ditë.”
Rreth 1500 banorë të lagjes “28 Nëntori” përfitojnë nga investimet e kryera në këtë zonë. Banorët vlerësuan punën e deritanishme, ku kërkesat e tyre kryesore kanë marrë zgjidhje ndërsa shprehin besim se në 4 vitet e ardhshme investimet do të vijojnë me të njëjtat ritme.