/ATSH/-  Hapësirat e gjelbra krahas investimeve në vepra arti dhe kreativiteti e kanë shndërruar Korçën në qytet model.
Në parkun “Rinia” të Korçës me një shtrirje prej 100 mijë metrash katror, është drejt përfundimit instalimi i pompave në liqenin e këtij parku, që do të shërbejnë si shatërvan duke shtuar një tjetër element dekorativ, në prej zonave më të bukura dhe të frekuentuara nga qytetarët.
Bashkia Korçë bën të ditur se, investimi në vepra të atraksionit dhe kreativitetit janë një ndërhyrje funksionale në shërbim të relaksit dhe çlodhjes së qytetarëve dhe vizitorëve, në një prej pjesëve më të bukura të parkut “Rinia”.
“Instalimi i pompave në liqenin e këtij parku do të mundësojë jo vetëm oksigjenimin dhe pastrimin e tij, por do të shërbejnë edhe si shatërvanë duke shtuar një tjetër element dekorativ”- njofton bashkia Korçë.
Parku “Rinia” në Korçë, është i veçantë sa i përket shumëllojshmërisë së drurëve dhe bimësisë.
Është krijuar 60 vjet më parë për të qenë mushkëria e Korçës në veriperëndim të qytetit dhe frekuentohet nga dhjetëra qytetarë të moshave të ndryshme. Në fundjavë ai është edhe më i populluar nga shëtitjet e familjarëve, turistëve dhe aktivitetet sportive të të rinjve.
Falë investimit madhor për rehabilitimin e tij, shndërruam këtë pjesë të gjelbër të Korçës në një park model me standarde europiane me qëllim që të jetë sërish dhe vetëm në funksion të qytetarëve. /a.a/