TIRANË, 27 qershor/ATSH/ -Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një video ku tregohet transformimi rrënjësor që kanë pësuar fshatrat turistikë të jugut.

“Mirëmëngjes dhe me fshatin e nonës dhe të nënës time ju uroj një fundjavë plot dritë si dashuria e gjysheve e mëmave tona”, është shprehur kryeministri Rama.

“Rikualifikim i fshatrave të jugut. Impakt i menjëhershëm në turizëm. Mirësevini në Vuno aty ku urtësia e të parëve, kalldrëmi qindra vjeçar dhe shtëpitë dhe shtëpitë kurorë rrëfejnë historikun e zonës”, thekson Kryeministri.

“Në mbrojtje të identitetit rinovuam qendrën historike Vuno, fasadat shtëpive, çatitë, rrjetin inxhinierik nëntokësor, kalldrëmin. Në bashkëpunim me bankën e Këshilli të Europës dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës i dhamë jetë modelit të ri të fshatrave turistikë bregdetarë. Përmirësuam infrastrukturën e integruar publike. Sollëm uniformitet estetik. Ruajtëm trashëgiminë kulturore dhe historike, për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik, ofertën turistike dhe ndërmarrjen e sipërmarrjeve të reja. Përmirësuam ambientet që ofrojnë shërbimin bazë. Punuam për rigjenerimin e sheshit dhe mobilimin urban. Për promovimin e denjë të objekteve turistike”, shprehet Rama për investimet e realizuara në Vuno.

“U habita nga bukuria, karakteri dhe pastërtia”, është shprehur Edward Lear për bukurinë e fshatrave të jugut.

ATSH