TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Tirana International Airport njofton se sot rifillojnë fluturimet me 4 shtete, Austri, Gjermani Greqi dhe Serbi.

Përmes një njoftimi për shtyp, Tirana Airport Partners informoi se pasagjerët që udhëtojnë duhet të respektojnë protokollet e higjienës. Po ashtu, TIA thekson se maskat janë të detyrueshme.

Dy ditë më parë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikoi edhe protokollin që duhet të ndiqet në aeroporte dhe gjatë udhëtimit në bordet e avionëve ku ndër të tjera theksohet se pasagjerët që do të identifikohen me temperaturë 37.5 e sipër nuk do të lejohen të udhëtojnë

Ndërkohë, sipas kompanisë, nisjet nga Shqipëria janë ende të kufizuara për personat që nuk janë të pajisur me leje qëndrimi apo pasaportë për destinacionet e sipërpërmendura.

“Lejohen të udhëtojnë vetëm rezidentët në Bashkimin Europian dhe nënshtetasit e EU-së“, thuhet në njoftimin e TIA-s.

Tia thotë se situata ndryshon me orë, ndaj dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve.

Fluturimet që kryhen sot:

Austria Airlines – Fluturimi nga Vjena mbërrin në 14.20 dhe niset në 15.05
Air Serbia – Fluturimi nga Beogradi mbërrin në 14.30 dhe niset në 15.00
Air Albania – Fluturimi i riatdhesimit nga Frankfurti mbërrin në 18.15
Aegean Airline – Fluturimi nga Athina mbërrin në 19.25 dhe niset në 20.05

ATSH