/ATSH/Në Shijak po punohet çdo ditë që familjet e prekura nga tërmeti të futen sa më shpejt në banesat e tyre të reja.
Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana tha se po vendosen themelet e ndryshimit pozitiv, për të cilin po punohet në çdo ditë.
“Shijaku po vendos themelet e ndryshimit pozitiv të tij. Po punojmë çdo ditë që familjet e prekura nga tërmeti të futen sa më shpejt në shtëpitë e tyre të reja. Pallatet në lagjen “Lugina” janë demoluar dhe e gjithë hapësira është bërë gati për kantier ndërtimi. Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të nisë së shpejti ndërtimin e pallateve të reja”, tha Arbana.
Ai shprehet se, “ndërkohë jemi në procesin e demolimit të pallateve të fundit për të mbyllur fazën e parë që i hap rrugën Rindërtimit. Mirënjohje pafund për Kryeministrin dhe Qeverinë Shqiptare, që po e kthejnë në një mundësi reale nevojën e familjeve të prekura nga tërmeti për të pasur shtëpinë e tyre”.
Sipas tij, rindërtimi i Shijakut është nxitja më e mirë e zhvillimit të tij për të ardhmen. Arbana u ka kërkuar bashkëpunim qytetarëve deri në përfundim të rindërtimit të banesave të dëmtuara prej tërmetit.
“Pak durim dhe të gjithë do të gëzojmë qytetin që duam. Ku ka vullnet, ka zgjidhje”, përfundon Arbana. z.tosku//a.a/