TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “shumë shpejt do të fillojë edhe ndërtimi i banesave individuale, ndërkohë që po përfundohen edhe projektet shumë komplekse të godinave kolektive”.

Në fjalën e tij gjatë takimit për nisjen e dhënies së granteve të rikonstruksionit dhe riparimit të banesave individuale në Bashkinë Kamzë, Rama tha se “projektet e infrastrukturës janë tashmë në proces zbatimi ose në procesin përmbyllës të kontratave sepse ajo që do të ndodhë siç është rasti që iu prezantova dje nga Fushë Kruja gjithçka do të bëhet me standarde dhe sipas kriteresh të mirëpërcaktuara si kudo në Europën që ne aspirojmë të kemi në Shqipëri, pra infrastrukturë nëntokësore, mbitokësore, infrastruktura e shërbimeve dhe jo thjesht dhe vetëm shtëpitë, të cilat do jenë më të forta, më të bukura dhe shumë e shumë herë më të mira e cilësore sesa shtëpitë që për fat të keq familjet humbën në natën tragjike të 26 nëntorit”.

“Sigurisht një e keqe që kur thotë populli vjen me të mirën e vet, e keqja e madhe që kaluam së bashku do të kompensohet me të mirën e madhe të një transformimi fantastik që do të jetë realitet për dhjetra mijëra njerëz dhe mijëra e mijëra familje shqiptare”, – tha Rama.

ATSH