TIRANË, 7 korrik/ATSH/ – “Atë që duam të bëjmë në Kombinat është ta kthejmë nga një hapësirë thjesht buzë një rruge, nga një lagje rrugë kalimi, në një pol kulturor, në një destinacion”, deklaroi sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti në fjalën e saj në prezantimin e planit për Rindërtimin e Kombinatit.
“Këto destinacione janë hartuar dhe janë ndërthurur me njëra- tjetrën në të gjitha zonat e reja të Tiranës për të pasur secila prej tyre një identitet të veçantë dhe për të mos pasur as përplasje të poleve dhe të interesave dhe të personave që do të jetojnë tek to”, tha ajo.
“Ky pol i ri zhvillimi për kryeqytetin ka kryefjalë artin kulturën dhe edukimin. Ka një vëmendje të shtuar për fëmijët. Është kjo një vëmendje e cila po vjen në të gjitha zonat post tërmet dhe ne do të ruajmë me të shkuarën dy nyje të reja lidhëse që janë artistët. Kthimi i identitetit të kësaj zone duke realizuar hapësira të posaçme për artin, kulturën dhe artistët, ku do të kenë atelietë e tyre të posaçme. Dhe lidhja tjetër do të jenë artizanët. Edhe kjo një nyje e madhe e të gjithë industrisë dhe të gjithë kulturës shqiptare që është venitur në këto 30 vite, por që nuk ka reshtur asnjëherë së pulsuari”, theksoi Margariti.
“Kombinati është pikërisht simboli i gjallë i një hapësire, e cila mund t’i ridedikohet artizanëve”, shtoi Margariti.
Por, nënvizoi ajo, “ky pol do të ketë edhe muzetë e rinj. Do të ketë Muzeun e Artit Modern. Po flasim për një muze të imazhit dhe të dezajnit dhe hapësirat do të jenë ndërthurur aq ngushtë me rezidencën dhe aq ngushtë me gjithë jetën e komunitetit. Dhe shpresojmë fort që kjo mënyrë e të ndërthururit e jetës së përditshme me të bukurën, me estetikën do të sjellë shumë shpejt në këtë komunitet, një tjetër rimëkëmbje dhe sidomos tek fëmijët një hapësirë të re ku ata do të mund të kenë mundësinë për të jetuar ndryshe”.
“Me këtë projekt që u prezantua sot unë jam e bindur që kemi bërë hapa të mëdhenj përpara për të mos bërë të njëjtat gjëra si gjithmonë dhe për të mos bërë atë që gjithkush priste prej nesh, thejsht një hap rimëkëmbje post-tërmet”, theksoi Margariti.
“Unë po e mbyll me një thirrje për një sfidë të ardhshme për kryetarin e bashkisë. Unë uroj që Kombinati apo KombinArti siç po quhet tani, të jetë hapësira e re periferike e Tiranës që do të lidhet me tramvijën e parë të Tiranës”, përfundoi Margariti.