TIRANË 18 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e radhës shtyrjen deri në fund të këtij viti të afatit për aplikim për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme.

“Afati për shtyrjen e aplikimit të këtij ligji do të jetë deri në fund të vitit 2020, nga data 30 shtator 2020 që është parashikuar në paketën fiskale ku u bë pjesë ky ligj”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Vendimi për shtyrjen e afatit, sipas ministrisë së Financave dhe Ekonomisë vjen si pasojë e situatës së krijuar në vend nga pandemia e COVID-19, e cila ka ndikuar në shumë procese të punës së administratës shtetërore, përfshirë edhe ato të Agjencisë së Kadastrës Shtetërore, e cila është përgjegjëse për marrjen e aplikimeve nga qytetarët që duan të rivlerësojnë pasurinë.

“Nga periudha 17 janar 2020, datë në të cilën ka hyrë në fuqi ligji deri në 17 mars 2020, kohë kur nisi marrja e masave të veçanta gjatë periudhës së pandemisë të shkaktuara nga COVID -19, numri i aplikimeve për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme është 15 071. Ndërkohë për periudhën 18 mars-22 maj numri i aplikimeve është 4 835. Pra siç shihet situata e krijuar nga COVID-19 ka sjellë një rënie të dukshme të numrit të aplikime për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me prej 68 %”, shpjegoi ministria e Financave.

Nëpërmjet ligjit Nr. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” synohet nxitja e formalizimit me vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme pasi, edhe në vitet e kaluara, rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme ka përbërë një ndër aktet ligjore më me interes për qytetarët, duke çuar në rivlerësimin e mbi 160 mijë pronave.

Miratimi në fund të vitit të kaluar të këtij ligji synonte t’i ofronte edhe njëherë qytetarëve mundësinë e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.

ATSH