Rreth 230 mijë individë e kanë përfituar ndihmën financiare si mbështetje nga paketat e qeverisë gjatë COVID-19. Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave, Vasilika Vjero u shpreh se paketat e ndihmës financiare po ecin sipas planeve të qeverisë. Vjero u shpreh se Administrata Tatimore po identifikon të gjithë të punësuarit dhe të gjithë po marrin ndihmën financiare.
Lidhur me numrin e të papunëve për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19, Vjero tha se bazuar në listpagesat e deklaruara janë rreth 27 mijë të papunë në këtë periudhë. Ajo bëri të ditur se këta individë përfitojnë pagesën e papunësisë, ndërsa qeveria po harton strategjinë për përfshirjen e tyre në programet e aftësimit profesional dhe përfshirjen në skemat e punësimit në zyrat e punës. Programi i rindërtimit tha ajo, është një mundësi për hapje vendesh pune.