ATSH/- Kredia për ekonominë në qershor të këtij viti, muaji i parë që u hap ekonomia pas një mbylljeje gati tre mujore, nga Covid-19, ka shënuar një rritje të ndjeshme pozitive,  pothuajse tre herë më e lartë se në muajin maj.

Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, kredia e re për ekonominë në lekë, arriti në qershor në 17.8 miliardë lekë, duke shënuar nivelin më të lartë mujor që nga dhjetori 2019.

Pas hapjes së ekonomisë ka pasur një kërkesë të shtuar nga biznesi dhe individët për të marrë kredi.

“Zgjerimi ishte më i fortë për kredinë afatgjatë mbi 5 vjet, por të gjitha maturitetet e tjera shënuan rritje”, njofton BSH-ja, sipas së cilës dinamika në zhvillim e këtij tregu lidhet me ecurinë e ekonomisë dhe të konsumit. e.xh /a.g/