TIRANË, 6 korrik/ATSH/ -Rritje e kontrollit parlamentar mbi veprimtarinë dhe zbatimin e ligjit nga kompanitë që operojnë në sektorin e industrisë nxjerrëse.

Edhe pse në kushte të pazakonta, prezenca e OSBE në Tiranë vijonë të mbështesë takimet monitoruese të komisioneve parlamentare në terren, duke respektuar plotësisht masat kundër COVID-19.

Fundjavën që sapo lamë pas, Prezenca e OSBE udhëtoi së bashku me Komisionin për Ekonominë dhe Financat, drejt qarkut të Vlorës, ku deputetët u njohën nga afër me problematikat ekonomike dhe zhvillimore.

“Në një takim në bashkinë e Selenicës, u diskutua për taksat (me fokus rentën minerare), për ndikimin mjedisor të industrisë nxjerrëse, si edhe për rritjen e kontrollit parlamentar mbi veprimtarinë dhe zbatimin e ligjit nga kompanitë që operojnë në këtë sektor kyç të ekonomisë. Komisioni mbështeti propozimin për organizimin e një seance dëgjimore me shoqatat e bashkive, Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe shoqatat e industrisë, ku të diskutohen më tej këto çështje dhe të shqyrtohet konkretisht nevoja për të ndërmarrë apo jo nisma për përmirësimin e kuadrit ligjor”, thekson Prezenca e OSBE.

Po ashtu, shton Prezenca e OSBE, “Komisioni zhvilloi një takim në Portin e Vlorës për t’u njohur me vështirësitë që COVID-19 ka sjellë në port dhe doganë. Ndër temat e diskutimit ishin rishikimi i buxhetit dhe rritja e të ardhurave ne kushtet e pandemisë, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i Portit të Vlorës, rritja e investimeve për përpunimin e mallrave në kalatat e portit dhe rritja e efiçencës së terminalit të lëvizjes së udhëtarëve”.

“Deputetët e Komisionit u shprehën të gatshëm për të mbështetur, me ndryshime në ligjin për buxhetin e shtetit dhe sistemin fiskal, sfidën e shndërrimit të portit të Vlorës në histori suksesi në aspektin turistik, si edhe rritjen e investimeve në portin industrial të Triportit. Komisioni do të zhvillojë të tilla takime monitoruese në të gjitha portet e vendit për të parë nga afër nevojat për zhvillim ekonomik”, thekson Prezenca e OSBE.

Prezenca e OSBE-së nënvizon se, do të vijojë të mbështetë Kuvendin e Shqipërisë dhe Komisionet Kuvendore në përmbushjen e funksioneve legjislative dhe mbikëqyrëse.

 

ATSH