ATSH-Maela Marini/ “Rruga Milot-Fier, pjesë e Korridorit Blu do të jetë pjesërisht e aksesueshme brenda 3 vitesh dhe do të përfundojë plotësisht brenda 5 viteve duke garantuar standarde europiane në qarkullim”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama në prezantimin e projektit për segmentin Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian.

“Për këtë projekt që sot vihet në garë ndërkombëtare, ne kemi angazhuar një kompani globale konsulence që ka punuar me ne, duke na sjellë të gjithë eksperiencën dhe dijen e  paçmuar që nuk e kemi në institucionet e këtij vendi, ku u bë modë të bëheshin projekte rrugëve dhe të ndërtoheshin rrugë që liheshin rrugëve. Praktikisht, sot ne jemi shumë krenarë që kushdo nga kompanitë e mëdha që janë të interesuara të investojnë në Ballkan ka një ofertë-kërkesë nga Shqipëria që nderon shtetin shqiptar dhe nuk ka një paçavure sikur është e shkruar nga analfabetë, si ato të cilat u financuan me taksat e shqiptarëve për vite të tëra”, tha Rama.

Rama shtoi se “jemi shumë besimplotë se shumë shpejt do të jemi në gjendje ta nisim këtë punë dhe kjo rrugë do të jetë në pjesën kryesore e aksesueshme në 3 vjet dhe përfundimisht e përfunduar në 5 vjet”.

“Nuk do të duhet më të hyhet fshehtas në Rinas, se jemi i vetmi vend në Europë ku shkohet fshehtas në Aeroportin Ndërkombëtar. Edhe atë rrugë fshati të paktën e kemi bërë rrugë të mirë fshati me ndriçim e gjelbërim se ishte shteg fshati. Pastaj për të shkuar në Shkodër futesh nëpër ca shegë apo hurma dhe del në gjoja rrugën kryesore që edhe atë e përmirësuam shumë duke e rishtruar me programin e mirëmbajtjes por që pastaj aty, secili për vete dhe Zoti për të gjithë. Një rrugë kryesore e vendit ku makina, lopa, qeni dhe qytetari që del nga zona e banuar janë në të njëjtën hapësirë të përbashkët sikur është rrugë fshati. Kjo është trashëgimia”, tha Rama.

Ai tha se “pas 3 vjetësh aty do të kemi standardin europian, ku do të hysh në rrugë dhe nuk ke frikë as majtas dhe as djathtas se të del makinë apo lopë e dele, por do të mbërrish në destinacion pa asnjë pengesë dhe në normalitet”.

“Shkuarja pastaj në Fier e Vlorë do të ketë bypass-in e Vlorës. Nëse do të kthehesh të hysh thellë në rrugën turistike të lumit të Vlorës, do të jetë tuneli në Llogara dhe kështu koha e lidhjes së të gjithë atyre që nisen nga Prishtina apo Tirana për të shijuar Jonin do të shkurtohet në mënyrë të konsiderueshme. Siguria do të jetë e plotë dhe nuk do të jetë rrugë garash shpejtësie në shkelje të ligjit”, tha Rama.

Ai shprehu bindjen se “kjo do të jetë një tjetër histori e madhe suksesi të përbashkët”. Po ashtu, Rama tha se “brenda pak kohësh nisim ndërtimin e Shëngjin-Velipojë”. /a.g/