/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po punon për ndërtimin e një rruge të re që lidh Elbasanin me Qafë Thanën, e cila do të jetë në një gjurmë të re.

Drejtori i Programeve të Zhvillimit të Transportit, Thimjo PLaku deklaroi sot se për të siguruar fondet për ndërtimin e kësaj rruge është aplikuar në WBF që është instrumenti financiar për investime i BE-së në Ballkanin Perëndimor .

“Kemi planifikuar projektin e një rruge të re, pra në një gjurme të re Elbasan-Qafë Thanë. Aksi është pjesë e Korridorit të 8 dhe do të jetë në një gjurmë të re. Rruga do të jetë e standardeve europiane me dy karrexhata me nga 2 korsi dhe një korsi emergjence”, tha Plaku.

Deklarata e përfaqësuesit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u bë gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave teksa po diskutohej një ndryshim në marrëveshjen me Italinë, “Për zbatimin e programit për përgatitjen e studimeve të fisibilitetit dhe hartimit në nivel përfundimtar dhe studimin e ndikimi mjedisor në sektorin infrastrukturave”. /j.p/