/ATSH-AFP/ – Kremlini tha se ishte i kënaqur me dialogun në zhvillim me Uashingtonin mbi tema të ndryshme si kontrolli i armëve dhe siguria kibernetike, një koment i bërë gjatë një vizite nga një zyrtar i lartë amerikan.

“E gjithë kjo po zhvillohet mjaft mirë, është një pikë pozitive në lidhje me zhvillimin e marrëdhënieve tona dypalëshe”, vuri në dukje Dmitri Peskov, zëdhënës i presidencës ruse.

“Diskutimet mes nesh janë të rëndësishme, ne nuk duhet të ankohemi pasi përparimet nuk ndodhin menjëherë”, shtoi ai.

”Ardhja e numrit tre të diplomacisë amerikane Victoria Nuland për bisedime në Kremlin është e dobishme”, theksoi Peskov.

Këto takime vijnë pas samitit të presidentëve Joe Biden dhe Vladimir Putin në Gjenevë në qershor, ku ata ranë dakord të rinisin dialogun në fushat me interes të përbashkët, pavarësisht tensioneve në rritje për një mori temash./ a.jor.