ATSH/  Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Shkodra se “vazhdojmë procesin e vaksinimit, i cili po ecën mjaft mirë, pavarësisht luhatjeve dhe ngurrimeve të krijuara ditët e fundit për shkak të lajmeve të përhapura për AstraZeneca dhe për shkak të një pezullimi në disa vende të vaksinimit për verifikime të mëtejshme që deri tani nuk kanë nxjerrë asnjë problem”.

Në një prononcim për mediet, Kryeministri Rama theksoi se “po rritet numri i mësuesve të interesuar për u vaksinuar, Vaksina është me dëshirë jo me detyrim dhe është normale që të ketë edhe hezitime. Ajo që për ne është e rëndësishme është që të rrisim çdo ditë intensitetin të vaksinojmë që të këpusim zinxhirin e hallkave të infektimeve dhe të lehtësojmë sezonin turistik si fillim”.

“Besoj do të kemi lajme të tjera të mira dhe do të kemi në disponim një sasi të konsiderueshme vaksinash për tu shtrirë shumë fort përtej këtyre kategorive për të marrë mbarë gjithë kategorinë e moshave mbi 60 vjeç dhe pastaj për të vazhduar edhe nën 60 vjeç me atë objektiv që thashë”, – tha Rama.

Por, vijoi Rama, vaksinimi është njëra anë e medaljes së kësaj lufte, ana tjetër është respektimi i rregullave.

I pyetur për sjelljet e kryetarit të PD-së Lulzim Basha në takimet që po zhvillon në rrethe në kuadër të fushatës elektorale, Rama tha se “nuk janë sjellje të partive politike se zakonisht për ti futur të gjithë në një thes në këtë rast nuk ka lidhje fare, sepse janë parti e KÇK-së që dalin bashkë me dhëndrin përpara dhe gjoja spontanisht mblidhen dasmorë me dy gishta e ulërima dhe krijojnë vatër potenciale infektimi në mes të qytetit”.

“Këto janë gjëra që duhen shmangur, kjo sfidë është sfida e sfidave. Kjo sfidë nuk ka as parti, as termina elektoralë, nuk ka as lidhje me dallimet qe ne kemi si çdo shoqëri tjetër në jetën e përditshme në kohë normale”, – tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se “kjo është sfidë për shëndetin, nuk mund të rrezikohet shëndeti, nuk mund të sakrifikohet shëndeti i askujt dhe mbi të gjitha dasmorët duhet të ruajnë veten dhe të tjerët. Sepse këto historitë me dy gishta me flamuj, me makina e ulërima janë histori të viteve ’90 që përsëriten sa herë vijnë zgjedhjet”.

“Kjo është arsyeja që ata s’kanë për të fituar sepse janë pikërisht ata që ishin edhe kur humbën”, – tha Rama./k.s/