ATSH – I. Vata/- Zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko tha sot se së shpejti do të jetë gati protokolli i Mbrojtjes së të miturve në shkolla.
Zëvendësministrja Kuko zhvilloi sot një takim online me oficerë të sigurisë në shkolla si dhe deputetë dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit për të diskutuar për sigurinë në shkolla.
“Si e thyejmë këtë kulturë heshtjeje? Duhet vepruar në 360 gradë! Sot thirra në takim online 100 oficerë sigurie në shkolla të vendit, deputetë, MASR, MSHMS për këtë çështje. Shumë shpejt, Protokolli i Mbrojtjes së të miturve në shkolla (MB, MSHSMS, MASR)”, shprehet Kuko.
“I patolerueshëm çdo veprim/mosveprim nga çdo palë përgjegjëse. Kemi kërkuar hetim të thelluar. Abuzuesit ata që mund t’ju shkelin syrin, nuk do ia hedhin paq! Krahas parandalimit, të instalojmë përfundimisht kulturën e mbrojtjes së viktimës. Fajësimi i viktimës duhet të marrë fund”, shprehet Romina Kuko, duke iu referuar ngjarjes në Kamzë.
Gjithashtu, Kuko apeloi që të denoncohen rastert e abuzimit me të miturit.
“Inkurajoj këdo të denoncojë në 112 apo Komisariarin Digjital (edhe në kushtet e anonimatit) çdo rast, pa asnjë hezitim! Dhe nëse nuk shihni reagim, tel. 0800 90 90 Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave për çdo mosveprim! Asnjë frikë për të vënë drejtësi në vend!”, shprehet ajo. /j.p/