Sezoni 2019/20 i Premierligës mund të anulohet nëse klubet nuk pajtohen të luajnë në stadiume neutrale, sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës së Trajnerëve të Ligës, Richard Bevan.

Premierliga ka qenë e suspenduar që nga 13 marsi shkaku i përhapjes së virusit Covid-19, që ka shkaktuar edhe ndërprerjen e seancave stërvitore dhe aktiviteteve të tjera sportive, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, ngjashëm me vendet e tjera evropiane, edhe Anglia tani është duke punuar në “Projektin e Rinisjes” – duke mbajtur negociata mes Federatës së Futbollit, Ligave, Shoqatës së Futbollistëve e të Trajnerëve, si dhe autoriteteve të tjera përgjegjëse.

Njëra ndër propozimet e dala nga këto negociata ka qenë që ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit 2019/20 të zhvillohen në stadiume neutrale, përderisa një votim për këtë dhe propozimet e tjera do të mbahet të hënën.

Përderisa të gjitha 20 klubet e Premierligës janë shprehura të gatshme t’i zhvillojnë 92 ndeshjet e mbetura kur të jetë e sigurt të rinisë sezoni, jo të gjitha ato janë të gatshmë të luajnë në stadiume neutrale.

Brightoni është ndër klubet që e ka refuzuar këtë opsion, mirëpo propozimit i duhen vetëm 14 vota nga gjithsej 20 klubet për t’u aprovuar. Përndryshe, Bevan paralajmëron se Premierliga mund të anulohet.

“A do të anulohet sezoni nëse votohet kundër zhvillimit të ndeshjeve në stadiume neutrale? Por, mendoj se kjo është e vërtetë”, ka thënë Bevan për BBC Radio 4.

“Qeveria, nëse s’e ka bërë ende, do ta bëjë të qartë se zhvillimi i ndeshjeve në stadiumet e klubeve vendase e vë në pikëpyetje nëse mund të aplikohen rregullat e distancimit”.

Kjo pasi që janë ngritur shqetësime se tifozët do të grumbullohen jashtë stadiume për ta përkrahur ekipin e tyre – ashtu siç kishte ndodhur në ndeshjen e Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germainit dhe Borussia Dortmundit. /Gazeta Express/