Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ishte i gatshëm t’u kërkonte një mandat të tretë qeverisës qytetarëve shqiptarë.,Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist që u mbajt në Elbasan, Rama tha se ishte i gatshëm t’u provojë shqiptarëve se ka edhe më të madhe dëshirën, ambicien dhe vullnetin për të bërë më shumë për ta.
“Jemi mbledhur që t’ju ftoj në një reflektim të thellë, por të shpejtë, të cilin sot dua që ta nisim për ta kryer në javët e ardhshme, bashkërisht, secili individualisht dhe së bashku në grupe më të vogla, një reflektim për si do ta vazhdojmë përpjekjen tonë në çdo drejtim, si skuadër dhe si individ, në rolin që secili ka dhe si do ta kurorëzojmë këtë mandat me bindjen dhe besimin e nevojshëm për të merituar nga bashkëqytetarët tanë një mandat tjetër, të tretin radhazi, për të parën herë në historinë e PS-së, por dhe në historinë e Shqipërisë pluraliste”, – u shpreh Rama.
“Po e nis nga vetja, e jo pa qëllim publikisht, me zë të lartë, atë që në fakt jam mësuar ta bëj me veten rregullisht dhe e kam bërë së fundmi, më shpesh: çfarë duhet të bëj unë më shumë e më mirë në këtë sezon për të merituar me bindje e besim respektin e atyre që më besuan, të bindur privilegjin e madh të drejtimit të shtëpisë sonë, Shqipërisë 3 vjet apo 7 vjet më parë? Shqiptarët, shumica e tyre e kanë të qartë që nuk e kanë sot për sot një kryeministër më të mirë, po a jam unë kryeministri më i mirë që unë mund të jem për ta? Po ju, secili prej jush, a jeni deputetët më të mirë që ata mund të kenë sot për sot territoret ku ju kanë zgjedhur tre vite më parë? A është kjo që kemi bërë deri më sot, secili prej nesh dhe të gjithë së bashku, më e mira që ne mund të bëjmë për ta në vetvete, pa e krahasuar me alternativat që ata kishin para tre vitesh apo që kanë hë për hë?”, – theksoi Rama.
“Shqiptarët sot nuk e kanë një alternativë më të mirë sesa mua dhe sesa ju që na vunë në krye të vendit tre vite më parë. Këtë ata e dinë, shumica e tyre nuk e diskuton. Por kjo sot nuk më mjafton dhe atyre jo e jo. E pyes veten, shpesh dhe po e bëj edhe këtu me zë të lartë: po Partia Socialiste që sot përfaqësohet nga ne, as s’ka lindur me ne, e as s’do vdesë pa ne, mund të bëjë në krye të vendit më shumë se sa ne kemi bërë deri këtu? Përgjigjja imë është pa asnjë dyshim ‘Po’.
Dhe patjetër, përderisa unë jam këtu, e kam ndërmend të kërkoj një mandat tjetër, në fund të këtij që kam, kam bindjen dhe besimin se mund të bëj më shumë akoma, ndryshe nuk do të kisha arsyen themelore që kam për të vazhduar. Patjetër që edhe ju, secili prej jush, mund ta mendoni e thoni këtë njësoj si unë. Por pyetja është se sa të gatshëm jeni ju, për t’ua provuar këtë atyre që ju kanë besuar për mandatet që keni njerëzve në të gjitha territoret ku jeni zgjedhur. Unë jam i gatshëm t’ua provoj shqiptarëve se kam në fakt edhe më të madhe dëshirën, ambicien dhe vullnetin për të bërë më shumë për ta dhe uroj që edhe ju të jeni të gatshëm të bëni të njëjtën gjë”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Por, tha Rama për të kuptuar se çfarë mendon Partia Socialiste, ajo që ne quajmë “familja e madhe” për ne, duhet të dëgjojmë zërin e çdo anëtari të PS-së.
“Por pyetja është Partia Socialiste, ajo që e quajmë ‘familja e madhe socialiste’, çfarë mendon sot për mua e ju, në këtë fazë të mandatit që kemi dhe mandatit që vjen. Dhe unë mund t’ua them shumë hapur si kreu i kësaj familjeje, duke ndjekur të njëjtën vijë konceptin e familjes së madhe politike, nuk e marr përsipër përgjigjen në emër të familjes së madhe për këtë pyetje, e cila më mundon realisht çdo ditë”, – u shpreh Kryeministri.
Unë, e vijoi Rama fjalën, dua të dëgjoj zërin e çdo anëtari e anëtareje të PS-së, për të marrë përgjigjen.
“Sepse me timen kam bërë gjithçka kam mundur, jo gjithçka kam dashur, dhe s’kam lënë asgjë pa bërë, nga ato që kam mundur, por sot kjo nuk mjafton dhe ajo që unë mendoj për çfarë kam bërë nuk mjafton. Nuk mjaftojnë as mendimet tuaja për punën time. Unë dua të di mendimet e gjithë familjes sonë, nga Tropoja, në Konispol; nga Shqipëria, në diasporë. Dhe dua ta di sa më parë, ndërkohë që partia do të hyjë në betejën më të madhe të një mandati që gjithmonë është beteja për mandatin tjetër”, – deklaroi Rama