/ATSH-DPA/ – Administrata Biden iu përgjigj kërcënimeve nga zyrtarët rusë se Moska mund të nisë dislokime ushtarake në Kubë dhe Venezuelë nëse tensionet vazhdojnë të rriten duke premtuar për një përgjigje të vendosur nëse sheh ndonjë provë se kërcënimi është real.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov i tha televizionit shtetëror se ”ai nuk mund as të konfirmojë dhe as të përjashtojë dislokimet e mundshme.

Mediet ruse i ndoqën komentet me një raport që agjentët e agjencisë ruse të spiunazhit, FSB, kishin vizituar dy vendet e hemisferës perëndimore në ditët e fundit.

“Ne nuk do t’i përgjigjemi gënjeshtrës”, deklaroi një zyrtar i administratës për ”McClatchy” dhe ”Miami Herald”.

”Nëse Rusia me të vërtetë do të fillonte të lëvizte në atë drejtim, ne do ta përballonim atë me vendosmëri”, shtoi ai.

Tensioni midis Uashingtonit dhe Moskës është rritur që nga dhjetori, kur Rusia filloi të grumbullonte dhjetëra mijëra trupa në kufirin ukrainas.

Zyrtarët rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një pushtimi.

Bisedimet midis zyrtarëve rusë, amerikanë, evropianë dhe të NATO-s janë zhvilluar në të gjithë Evropën përgjatë tre ditëve të fundit, por zyrtarët nuk kanë raportuar ndonjë përparim./   /os/