ATSH/- Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), mbështetur nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, përmbylli aksionin për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje në vijën bregdetare të plazhit të Velipojës.
Në njoftimin për shtyp, Policia e Shtetit bën të ditur se “një grup personash tentuan të bllokonin aksionin. Shërbimet e Policisë u kërkuan të mos pengonin punonjësit e IKMT-së dhe të Policisë së Shtetit në kryerjen e detyrës, por ata kundërshtuan forcërisht lirimin e hapësirës ku do të operohej”.
Policia e Shtetit u bëri thirrje disa herë që të largoheshin nga vendi që operohej, por ata vazhduan të kundërshtonin me forcë shërbimet e Policisë.
“Në këto kushte shërbimet e FNSH-së, të Forcës së Posaçme Shqiponja dhe ato të Postës së Policisë Velipojë larguan forcërisht të gjithë personat dhe IKMT-ja vazhdoi punën, duke shembur 24 objekte të paligjshme gjatë gjithë vijës bregdetare të Velipojës”, thuhet në njoftimin për mediet.
Strukturat e Policisë Shkodër kryen veprimet procedurale dhe materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në ngarkim të 6 shtetasve, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. /a.g/