ATSH/ Qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum.

Sipas anketës së buxhetit të familjes për vitin 2020, publikuar nga INSTAT një familje e përbërë mesatarisht nga 3,6 persona në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 98.737 lekë në muaj.

Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Korça me 83.160 lekë dhe Fieri me 79.839 lekë në muaj për familje.

Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Kukësit me 70.252 dhe i Dibrës me 71.135 lekë në muaj për familje. Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Elbasanit me 7,0 %, ndjekur nga qarku i Dibrës me 4,9 %.

Në vitin 2020, numri mesatar i anëtarëve të familjeve është 3,6. Qarku me numrin më të madh të anëtarëve të familjes është Kukësi me 4,2 anëtarë, ndërsa Gjirokastra është qarku me numrin më të vogël të anëtarëve në përbërjen e familjes, me 2,9 anëtarë. /j.p/