TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete zhvilloi sot një takim online me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Në takimin e zhvilluar në një frymë vëllazërore u diskutua në lidhje me forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të mbikëqyrjes efektive të tregjeve financiare.

Kreu i AMF-së, Mete dhe Guvernatori Mehmeti biseduan për kolegjet mbikëqyrëse rajonale në lidhje me grupet e sigurimit që ushtrojnë veprimtari në të dy shtetet dhe problematika të shfaqura nga subjekte të veçanta.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së diskutuan edhe për çështje që lidhen me policat ndërkufitare, trajtimin dhe pagesat e dëmeve, zhvillime në fushën legjislative të sigurimeve, etj.

Gjithashtu u ra dakord për të avancuar me nënshkrimin e marrëveshjes së re të bashkëpunimit mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në funksion të mirërregullimit të tregjeve nën mbikëqyrje.

ATSH