ATSH/ Agroturizmi, tradita artizane dhe prodhimet tipike “Made in Albania” do të prezantohen në edicionin e 15-të të panairit “Terra Madre Salone del Gusto”, që do të zhvillohet nga 22-26 shtator në Torino, Itali.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca publikoi në rrjete sociale foto që tregojnë aspekte nga puna për ngritjen e stendës së Shqipërisë në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar.

“Kështu po ngrihet stenda e Shqipërisë në Terra Madre Salone del Gusto, evenimentit më të madh të ushqimit të qëndrueshëm, me rrënjët në origjinë, që mbahet në Torino në 22-26 Shtator”, shkroi Krifca.

Ministrja konfirmoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë panair, teksa shkroi se, “me krenari, do të jemi pjesë për të dëshmuar vlerat e traditës sonë në prodhimin e ushqimit dhe vlerat e prodhuesve tanë të vegjël”.

Në organizimin më të rëndësishëm ndërkombëtar kushtuar kulturës së ushqimit do të marrë pjesë një delegacion prej rreth 200 vetësh.

Organizuar nga Slow Food në bashkëpunim me rajonin e Piemontes dhe qytetin e Torinos, në panair do të jenë të pranishëm mbi 5,000 delegatë nga 140 vende, mbi 800 ekspozues, 300 Slow Food Presidia dhe 500 komunitete ushqimore Terra Madre do të marrin pjesë në këtë aktivitet.

Delegacionet e Slow Food nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Turqia përfshijnë fermerë familjarë, prodhues, akademikë, kuzhinierë, aktivistë, anëtarë të Rrjetit Rinor Slow Food (SFYN), si dhe studentë, të cilët do të sjellin njohuritë dhe përvojën e tyre në aktivitetet e shumta që do të ofrohen gjatë këtij organizimi 4-ditor.

Ushqimi për ndryshim dhe agroturizmi është tema kryesore e këtij edicioni të 15-të, ku këtë vit fokusi do të jetë te njerëzit dhe ndryshimi që gjithkush mund të ndihmojë për ta bërë.

Tregu Ndërkombëtar, i vendosur në Lingotto Fiere dhe Oval, do të ekspozojë produkte të shumta lokale nga Gadishulli Ballkanik: Nga Shqipëria, publiku do të jetë në gjendje të shijojë dhe të blejë gliko Përmeti, vajin ekstra të virgjër bimë mjekësore etj. /j.p/