/ATSH/ Një tjetër grup mjekësh dhe infermierësh nga Shqipëria do të nisen sot drejt Italisë, për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit.
Manjola Rama, një nga infermieret që pritet të nisë misionin në Itali, u shpreh për një nga mediet e vendit se janë një grup prej 60 mjekësh dhe infermierësh të cilët do të shkojnë për të dhënë ndihmën e tyre në vendin fqinj.
“Ne do të japim maksimumin si staf dhe besoj që do dalim faqebardhë”, u shpreh infermierja Rama.
Pak javë më parë, Shqipëria dërgoi në Itali 30 mjekë dhe infermierë, të cilët po shërbejnë në frontin e parë të luftës kundër COVID-19 në spitalet e Breshias.
Kjo ndihmë vjen në një kohë kur Shqipëria ka një kurbë të qëndrueshme të të infektuarve dhe ku të dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 44 pacientë.
Pas grupit të parë, ky është grupi i dytë që do ndihmojë Italinë në luftën kundër COVID-19. Nisja e tyre bëhet sot nga aeroporti “Nene Tereza”. z.tosku. /a.g/