ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se me qëllim mbështetjen e biznesit, propozohet që për transaksionet me para në dorë të ndryshojë afati i fillimit të efekteve të ligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, duke shtyrë datën e fillimit të këtyre efekteve më 1 shtator 2021.

Ndërkohë, që për transaksionet pa para në dorë, ndërmjet tatimpaguesve me organet publike si dhe ndërmjet tatimpaguesve me njëri-tjetrin, tha ajo, afatet e fillimit të efekteve të ligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit mbeten te pandryshuara.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, ministrja Denaj tha se COVID-19 ka krijuar një situatë të vështirë për biznesin ndaj është kërkuar adoptimi i këtij ligji.

Për transaksionet me para në dorë (sipas llojit të përgjegjësisë tatimore, tatimfitimi apo tatim i thjeshtuar mbi fitimin), efektet e ligjit parashikoheshin të nisnin përkatësisht në datën 1 shtator 2020 dhe 1 janar 2021, ndërsa për transaksionet pa para në dorë, ndërmjet tatimpaguesve me organet publike si dhe ndërmjet tatimpaguesve me njëri- tjetrin, efektet fillojnë përkatësisht në datën 1 janar 2021 dhe 1 korrik 2021.

Denaj tha më tej se në këto kushte, lind e nevojshme që paralelisht, të bëhet një rregullim në ligjin “ Për procedurat tatimore”, lidhur me funksionimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale ekzistuese, të cilat përdoren për transaksionet me para në dorë deri në momentin e fillimit të efekteve të ligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.

Përmes këtij projektligji, tha Denaj, propozohet edhe heqja e masës së bllokimit të aktivitetit përpara afatit 30-ditor, nëse tatimpaguesi shlyen të plotë dënimin apo pjesën e gjobës që merr në rast të mos zbatimit të ligjit./a.gjonaj/ /a.g/