TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Procesi i zbatimit të sistemit të fiskalizimit, i cili pritej të niste në shtator 2020 për bizneset me xhiro mbi 8 milionë lekë dhe në janar 2021 për subjektet e tjera me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë , është shtyrë sërish dhe zbatimi do të fillojë në 1 shtator të vitit 2021.

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit ndryshimet në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.

Sipas p/ligjit, i cili pritet të kalojë në komisionet parlamentare, për transaksionet pa para në dorë, ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, afatet e këtij ligji mbeten të pandryshuara dhe zbatimi nis më 1 janar 2021.

Edhe për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, afatet e këtij ligji mbeten të pandryshuara dhe zbatimi nis më 1 korrik 2021.

Për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 shtator 2021.

Procesi i fiskalizimit për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimfitimit me të ardhura vjetore mbi 8 milionë lekë pritej të niste më 1 shtator të këtij viti, por p/ligji i ri i sapo miratuar parashikon shtyrje të këtij afati me 1 vit duke e çuar afatin më 1 shtator të 2021 nisjen e zbatimit.

Për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatim të thjeshtuar mbi fitimin me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë, efektet e këtij ligji parashikonin të fillojnë më 1 janar 2021. Por ndryshimet e reja e kanë çuar këtë afat më 1 shtator 2021.

Fiskalizimi sjell një sërë risish për bërjen e biznesit në vend dhe avancon proceset operacionale të biznesit dhe administratës tatimore. Përmes këtij procesi synohet reduktimi i informalitetit në ekonomi dhe evazionit fiskal, rritje e transparencës dhe verifikimi në kohë reale i transaksioneve.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve fiskalë, zbatimi i plotë i projektit të Fiskalizimit do të sigurojë një rritje të të ardhurave nga TVSH me rreth 20-30 % krahasuar me TVSH-në e brendshme që arkëtohet aktualisht. Në terma sasiorë, të ardhurat pritet të rriten rreth 10 miliard lekë ose me rreth +0,5 – 0,6 % të PBB-së.

Objektivi i ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është që, në terma afatmesëm të implementimit të plotë të Fiskalizimit, të ardhurat nga TVSH të arrijnë mbi 9,2 % e PBB-së.

 

ATSH