Kështu shprehet ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në reagimin e saj ku thekson se falë kësaj marrëveshje, nuk ka strehë për të fshehurit nga drejtësia, të arratisurit, kriminelët as në Shqipëri dhe as në SHBA.
“Komisioni i Sigurisë Kombëtare i Kuvendit kalon Traktatin e Ekstradimit SHBA-Shqipëri firmosur në 22 dhjetor 2020. Një dëshmi partneriteti në rritje Tiranë-Uashington prej Traktatit të Parë në 1 mars 1933”,- thekson Gjonaj.
“Nuk ka strehë për të fshehurit nga drejtësia, të arratisurit, kriminelët as në Shqipëri dhe as në SHBA. Cilido në kërkim për t’u ndjekur penalisht apo kryerjen e dënimit për një krim të ekstradueshëm do t’i dorëzohet drejtësisë. Një armë e fortë më shumë për t’i treguar krimit se nuk i shpëton ndëshkimit”,-nënvizon Gjonaj.
Në Komisionin për Sigurinë Kombëtare sot u miratua nga deputetët e këtij komisioni ratifikimi i traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikë.
Objektivat kryesor të projektvendimit “Për propozimin e projektligjit për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës” konsistojnë, ndër të tjera, në: Krijimin e një kuadri të ri rregullativë, në lidhje me aplikimin e ekstradimit ndaj shtetasve të shteteve nënshkruese të traktatit; Lehtësimin e funksionimit të procesit të ekstradimit ndërmjet palëve, në lidhje me ekstradimin e shtetasve të tyre përkatës; Garantimin e bashkëpunimit sa më të efektshëm ndërmjet palëve, për të luftuar krimin; Eliminimin e pengesave ligjore ndaj ekstradimit të shtetasve të shtetit të kërkuar, të kërkuar për ndjekje penale, ose për kryerjen e një dënimi në shtetin kërkues, duke marrë masat e nevojshme për ekstradimin e këtyre shtetasve.
Ekstradimi përbën një instrument tradicional të bashkëpunimit ndërkombëtar, i cili konsiston në dorëzimin e një personi nga shteti në të cilin ai gjendet, në shtetin tjetër që duhet ta gjykojë (ekstradim njohës), ose për ekzekutimin e një vendimi me burgim (ekstradim ekzekutiv).
Traktati përmban gjithsej 23 nene. Për sa u takon institucioneve dhe organeve, të cilat ngarkohen me zbatimin e parashikimeve të projektligjit, përpos autoritetit qendror kompetent, nëpërmjet të cilit kalon e gjithë procedura e kryerjes së ekstradimit, që është Ministria e Drejtësisë, zbatimi i traktatit duhet të ndiqet edhe nga organet e tjera, si gjykatat, prokuroritë, policia gjyqësore. Projektligji është hartuar nga Ministria e Drejtësisë mbi bazën e traktatit të ekstradimit të hartuar nga autoritetet amerikane. Teksti i projektit është përkthyer e certifikuar nga Ministria e Drejtësisë dhe për qëllime të zhvillimit të procesit të negocionit ndërmjet palëve nënshkruese të traktatit.


























