Ambasaroja Yuri Kim i përgjigjet kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave të këtij të fundit të bëra dje, “se nuk kishte nevojë që ambasadorja amerikane t’i tregonte atij detyrën”.
Në reagimin e saj, Kim thekson se listat e kandidatëve për deputetë duhet të jenë të pastra, jo se e kërkojnë ambasadorët dhe SHBA, por sepse e kërkon ligji.
“Drejtuesit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thonë kështu ose sepse SHBA e kanë bërë të qartë se lufta ndaj korrupsionit është prioritet. Ata duhet ta bëjnë këtë sepse kërkohet nga ligji shqiptar, është ajo që pritet nga një vend aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së, dhe kjo është një shenjë themelore e respektit për votuesit”, shkruan Ambasadorja Yuri Kim në mesazhin e saj.
Ndërkohë, ja çfarë tha saktësisht kryeministri Rama dje, me gazetarët.
“Unë nuk kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time. Kam shumë respekt, ajo është në të drejtën e vet. Mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane. Nuk kam nevojë të ma kujtojnë punë asnjë ambasador. Unë e di shumë mirë detyrën time karshi ligjit dhe popullit shqiptar. Ligji është fare i qartë. Kush ka bërë në të shkuarën vepra penale për të cilat është dënuar duhet të mos kandidojë për një funksion publik. Madje unë e kam nxitur që të shtihet edhe në admimistratë. Ligji bazohet në deklarimin dhe mbi kontrollin”, u shpreh kryeministri.