ATSH/ -“Të rinjtë e Korçës dhe Ohrit nuk shohin ndonjë të ardhme tjetër për vendet e tyre sesa në Bashkimin Europian”.

Ambasadori i BE në Shqipëri, Lugi Soreca dhe ambasadori i BE në Maqedoninë e Veriut, Samuel Zhbogar zhvilluan një debat online me nxënësit e shkollave të mesme në Ohër dhe Korçë.

Ambasadori i BE në Shqipëri, Lugi Soreca u shpreh se, “mendoj se kjo kohë që do të kalojmë së bashku ka një vlerë shumë të madhe. Është hera e parë që ndodh kjo gjë. Kam disa ide që dua t’i ndaj me ju, por më shumë dua të dëgjoj prej jush dhe të mundohem t’ju them se çfarë mendoj në lidhje me atë se çfarë mund të bëjë Bashkimi Europian për ju dhe çfarë mund të bëni ju për Bashkimin Europian dhe ajo çka është më e rëndësishme, për vendin tuaj”.

“Le të vazhdojmë. Sepse ne jemi e ardhmja! Këto janë fjalë shumë të rëndësishme nga studentët e Korçës dhe Ohrit duke siguruar debatin e parë ndërkufitar. Ata nuk shohin ndonjë të ardhme tjetër për vendet e tyre përveç se në Bashkimin Europian. Ne jemi këtu për t’i mbështetur ata”, tha Soreca

Ndërsa Samuel Zhbogar, ambasadori i BE në Maqedoninë e Veriut, theksoi se, “ky është debati i parë ndërkufitar dhe është simbolik. Bashkimi Europian bashkon njerëz ndaj shpresojmë që ky debat do të kontribuojë me një copëz të gjëegjëzës për të bashkuar njerëzit që jetojnë në të dyja anët e kufirit”.

/gj.mima/j.p/