ATSH/ Në Shirokë, buzë Liqenit të Shkodrës, u zhvillua edicioni i 14-të i Triatlonit “Labeat”, një aktivitet sportiv që ndërthur notin, çiklizmin dhe vrapimin, duke sjellë së bashku sportistë nga Shqipëria dhe vendet e rajonit.
Edicioni i këtij viti shënoi një pjesëmarrje në rritje, me rreth 90 sportistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale, pamje nga ky aktivitet, ndërsa u shpreh se edicioni i 14-të i Triatlonit “Labeat”, bashkoi sportistë nga Shqipëria dhe rajoni në garën e notit, çiklizmit dhe vrapimit.
Rama e konsideroi këtë “një traditë sportive që promovon jetën aktive dhe potencialin e Liqenit të Shkodrës për sportin dhe turizmin në natyrë”.
Triatloni “Labeat”, i organizuar në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, synon promovimin e sportit dhe të një jetese aktive, duke e shndërruar aktivitetin në një mundësi për përfshirjen e sa më shumë qytetarëve.
Me pjesëmarrjen në rritje dhe ndërthurjen e sportit me promovimin e natyrës, Triatloni “Labeat” vijon të konsolidohet si një traditë sportive në Shirokë, duke kontribuar në promovimin e Shkodrës si destinacion për aktivitete sportive dhe turizëm në natyrë
/e.i/a.f/



























