/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, deklaroi sot se falë politikave fiskale të qeverisë socialiste, biznesi i vogël ka patur 13.7 miliardë lekë më shumë për të rritur aktivitetin.
“Në vitin 2013, 100 % e biznesit të vogël ka qenë subjekt i tatimfitimit me 10 %. Gjatë viteve 2006-2013, qeveria e kohës i ka marrë biznesit të vogël rreth 19 miliardë lekë. Gjatë 2014-2019 biznesi i vogël ka paguar më pak taksa, 5.3 miliardë lekë. Pra falë politikave tona fiskale, biznesi i vogël ka patur 13.7 miliardë lekë më shumë për të rritur aktivitetin”, deklaroi Ahmetaj.
Sot, vuri në dukje Ahmetaj, 105 mijë biznese të vogla në të gjithë vendin paguajnë zero tatim mbi fitimin.
Sipas tij, kjo ka bërë që numri i bizneseve të vegjël në këto vite është trefishuar.
“Në fund të vitit 2020 bizneset regjistruan 8442 të punësuar më shumë, krahasuar me dhjetorin 2019”, tha Ahmetaj.



























