HAIFA, 28 qershor /ATSH-MIA/ – Shkencëtarët e universitetit ”Tehnion” në Haifa, Izrael, kanë bërë të ditur se kanë krijuar maskë mbrojtëse për fytyrën, shumëpërdorimshe, që mund të shkatërrojë koronavirusin me ndihmën e nxehtësisë nga karikuesi i telefonit celular.

Përkatësisht, shpikja e re ka një USB lidhëse që mundëson furnizim me energji elektrike përmes karikuesit standard të telefonit celular. Kjo arrin të nxehë shtresën e brendshme nga fibrat e karbonit deri në 70 gradë Celsius, e cila është e mjaftueshme për të vrarë virusin.

Procesi i dezinfektimit të maskës zgjat rreth gjysmë ore.

Dhe me këtë rast, derisa është e lidhur me karikuesin, maska nuk duhet të përdoret, theksoi ekipi që arriti të kryente këtë  shpikje.

Ekspertët besojnë se maskat njëpërdorimshe nuk janë të leverdisshme dhe se ato ndotin mjedisin.

Patenta është paraqitur në SHBA në fund të marsit dhe studiuesit thonë se ata tani janë në bisedime me kompani private për të prodhuar maska për përdorim të gjerë.

Me shumë mundësi, produkti i ri do të jetë një dollar më i shtrenjtë se maskat e zakonshme.

ATSH