ATSH-DPA/- Rreth 40 burra hebrenj ultraortodoksë, të cilët kishin refuzuar të kryenin shërbimin ushtarak, u arrestuan sot në aeroportin e Tel Avivit, pasi u kthyen në Izrael nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Radioja e Ushtrisë Izraelite raportoi se arrestimet masive u kryen pasi personat mbërritën me një fluturim të mëngjesit nga Nju Jorku.
Lëvizja fetare ultraortodokse “Chabad”, së cilës i përkisnin burrat, njoftoi se do të organizonte një sërë protestash në përgjigje të arrestimeve.
Gazeta “The Times of Israel” raportoi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i kishte kritikuar arrestimet e personave që shmangin shërbimin ushtarak, duke i cilësuar ato si të dëmshme.
Netanyahu, i cili drejton partinë e djathtë “Likud”, mbështetet te partitë ultraortodokse për të siguruar mbështetjen e nevojshme në parlament, në prag të zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për javën e ardhshme.
Sipas Radios së Ushtrisë, policia ushtarake kishte marrë paraprakisht, informacion se burrat ndodheshin në një avion nga SHBA-ja dhe kishin përgatitur arrestimin e tyre sapo të mbërrinin në Izrael.
Në aeroport u dërguan forca shtesë të policisë ushtarake për të arrestuar të gjithë personat.
Më pas, ata u transportuan me autobus në një qendër të madhe rekrutimi ushtarak pranë Tel Avivit.
Sipas transmetuesit, personat që pranonin të paraqiteshin menjëherë për shërbimin ushtarak dhe të vishnin uniformën, do të përfitonin një dënim me burg të pezulluar, që do të thotë se nuk do të dërgoheshin menjëherë në burg, nëse plotësonin kushtet e vendosura.
Ata që do të refuzonin, do të përballeshin me gjyqin dhe do të dërgoheshin në një burg ushtarak.
Radioja e Ushtrisë raportoi gjithashtu se ushtria kishte paralajmëruar policinë izraelite për protesta të mundshme masive dhe i kishte kërkuar të merrte masat e nevojshme të sigurisë.
Mosmarrëveshjet për shërbimin e detyrueshëm ushtarak të hebrenjve ultraortodoksë, janë prej kohësh një burim i tensioneve të forta në Izrael.
Ushtria kërkon që ata të rekrutohen, për shkak të mungesës së ushtarëve në njësitë luftarake.
Ndërkohë, partitë ultraortodokse kundërshtojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për pjesëtarët e komunitetit të tyre fetar. //a.i/



























