ATSH/ Policia e Shtetit nisur nga situata e krijuar si pasojë e reshjeve të dëborës në disa zona të vendit ka marrë një sërë masash për t’iu ardhur në ndihmë gjithë përdoruesve të rrugës në rast nevoje.

Drejtori i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit,  Drejtues i Parë Altin Qato, tha në një deklaratë për mediet në lidhje me situatën si pasojë e temperaturave të ulëta se “shërbimet e Policisë Rrugore, Patrullat e Përgjithshme, Forcat Shqiponja dhe ato të FLO-së, janë të gjitha në terren, në të gjithë vendin, duke monitoruar qarkullimin dhe për t’iu ardhur në ndihmë banorëve në rast nevoje”.

Sipas tij, në zonat me risk, do ketë patrullime të shtuara nga Policia Rrugore për të orientuar drejtuesit e mjeteve.

Qato bëri të ditur se njëkohësisht Policia Rrugore po bashkëpunon me entet pronare të rrugëve dhe firmat kontraktuese, për mbajtjen pastër të rrugëve dhe për të pasur në gatishmëri mjetet borëpastruese në rast të prezencës së akullit apo dëborës në rrugë.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Qato tha se “Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që në radhë të parë të shmangin lëvizjet e panevojshme kryesisht në zona malore ku ka prezencë të dëborës, ngricës e akullit. Të vendosin gomat dimërore dhe të kenë me vete zinxhirët të gjithë ata drejtues mjetesh, që lëvizin në zonat ku ka prezencë të dëborës, ngricës e akullit. Të gjithë drejtuesit e mjeteve të mos qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara apo udhëzimeve të shërbimeve të policisë për akse rrugore të veçanta, të tregojnë kujdes dhe të ruajnë distancën gjatë lëvizjes”.

Qato u shpreh se “këshillojmë gjithashtu drejtuesit e mjeteve të mos përdorin në asnjë mënyrë celularin, gjatë drejtimit të mjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit dhe drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse.  Të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra në rrugë dhe të qëndrojnë në radhë në rast se në ndonjë segment rruge për arsye të ndryshme, mund të ketë qarkullim të ngadaltë apo ndalim qarkullim”.

Policia Rrugore është e pranishme në rrugë në ndihmë të drejtuesve të automjeteve, kësaj radhe jo për t’i ndëshkuar, por për t’i ndihmuar me qëllim sigurinë e jetës.

Gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës në disa zona të vendit ka pasur reshje dëbore, ndërsa nga temperaturat shumë të ulëta janë shkaktuar ngrica e akull, kryesisht në akset rrugore rurale malore.

/k.s/j.p/