Kryeministrat e tetë vendeve evropiane u kanë bërë thirrje gjigantëve globalë të mediave sociale që të ndërmarrin veprime më të forta për të kufizuar përhapjen e propagandës dhe dezinformimit nga shtetet armiqësore.

“Të dashur CEO të Big Tech”, fillon letra e përbashkët nga drejtuesit e Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Republikës Çeke, Sllovakisë, Moldavisë dhe Ukrainës drejtuar poseduesve të paidentifikuar të mediave sociale.

Kryeministrat shkruajnë se ”platformat e mediave sociale janë shndërruar në fushe beteje virtuale” të përdorura nga ”fuqitë e huaja armiqësore”” për të minuar demokracitë dhe për të “përparuar në mënyrë strategjike objektivat e liga”.

“Ne ju nxisim të bashkoni forcat me qeveritë demokratike dhe shoqërinë civile dhe të punoni së bashku për të mbrojtur integritetin e informacionit dhe për të garantuar sigurinë e shoqërive tona”, thuhej në letër.

”Propagandistët kanë vërshuar kanalet e mediave sociale në Ukrainë dhe Moldavinë fqinje me synimin për të destabilizuar qeveritë e tyre properëndimore”, shkruajnë udhëheqësit.