Syri është një organ tepër delikat i cili kërkon përkujdesje të veçantë. Syri i thatë është një gjendje që shkakton shumë problem, madje e çon syrin deri në uljen e shikimit.
Syri një organ sa i mrekullueshëm, aq dhe delikat e i komplikuar gjithashtu. Gjithmonë njerëzit kanë hasur probleme tek sytë; një ndër to është edhe tharja e syrit. Klajda Bardhi mjeke oftamologe, në emisionin Shendet+, ka folur rreth problemeve të syrit ku u shpreh që një ndër problemet është tharja e syrit.
“Tharja e syrit është mungesa e lubrifikimit të syrit, e lotit të syrit. Ne kemi një gjëndër lakrimale që prodhon lotin, pasi syri është një organ që duhet të qëndrojë në ujë gjatë gjithë kohës. Është një organ ujor, prandaj ky ujë neve na e lan syrin dhe na e mban të konservuar. Loti ynë është i përbërë nga tri shtresa: ujore, vajore, yndyrore. Kur prishet përqëndrimi midis këtyre tri shtresave, atëherë dhe syri fillon dhe thahet dhe nuk lubrifikohet. Kjo prishje e krijon problematikën tek syri të ngjashme me xhamin e makinës pas shiut, që mbetet i turbullt. Në shumicën e rasteve ka lidhje me moshën pas 40-ave. Ka të bëjë me problemet hormonale, është i lidhur edhe me sëmundje autoimune, siç është artriti reumatoid, por mund të jetë dhe idiopotike (shkak i panjohur). Higjena e syve është lubrifikimi i përhershëm i tyre. Ekzistojnë lotë artificialë në farmaci të cilët janë pa konservantë dhe mund t’i përdorim që të lagim syrin për çdo ditë; kjo mund të jetë higjiena jonë e syve”, – u shpreh mjekja oftamologe Klajda Bardhi