ATSH/- Thertorja e familjes Mnela, në Lezhë, në sajë të mbështetjes financiare nga programet e qeverisë është sot modeli dhe shembulli i suksesit me standardet më të larta të prodhimit, ruajtjes dhe shitjes së mishit.
Kjo thertore me teknologji bashkëkohore të standardeve të Bashkimit Europian, pjesë e programit IPARD kontraktuar nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) garanton siguri të plotë ushqimore në të gjithë zinxhirin ushqimor të përpunimit të mishit për konsumatorët.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) dhe kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndeu, vizituan dhe panë nga afër ambjentet dhe teknologjinë e falës së fundit në këtë thertore, ku aktualisht zbatohen me përpikmëri protokollet antiCOVID.
Financimi nga AZHBR i ka dhënë mundësi të zgjerojë biznesin dhe të gjenerojë punësim për banorët e zonës. Madje edhe falë marrëveshjes me Universitetin Bujqësor të Tiranës studentët kanë mundësi për të zhvilluar praktikën mësimore pranë këtyre ambienteve
Kryeministri Edi Rama duke e vlerësuar këtë investim të standardeve bashkëkohore, tha se “kjo thertore është teknologji e fjalës së fundit”.
Drejtoresha e AZHBR-së, Krifca, tha se, “ky biznes është krijuar që në vitin 1999 dhe është financuar nga AZHBR përmes programit IPARD. Është një investim që kap vlerën totale të mbi 1 milionë eurove. Me financimin nga AZHBR, kjo thertore ka siguruar makineritë e teknologjisë së lartë për prerjen e mishit dhe përpunimin e tij”.
Përfaqësuesi i kompanisë tregoi se, kompani aktualisht ka 10 pika shitje në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa thertorja ka dy salla të ndara për pritjen e krerëve gjedhë dhe derra: Njërën për krerët nga ferma e tyre dhe tjetrën për krerët që vijnë nga importi.
“Me ndihmën financiare të AZHBR-së në vitin 2014, ne kemi arritur të marrim pajisjet dhe teknologjinë të markës CE, më të mirë për përpunimin e mishit dhe kemi shtuar numrin e të punësuarve në 18 persona nga 7 punonjës që kishim në fillim. Ndërsa parashikojmë të aplikojmë përsëri tek AZHBR-ja, me një projekt të ri në zgjerimin e thertores me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të biznesit” – tha ai.
Përfaqësuesi i kompanisë e informoi kryeministrin, se falë investimit është rritur volumi i punës dhe bashkëpunimi me banorët e zonës për zhvillimin e biznesit, angazhimin e tyre në punësim dhe rritjen e të ardhurave familjare.
Krifca informoi se, përmes programit IPARD po përafron standardet ushqimore dhe standardet e investimeve në bujqësi dhe zhvillimin rural në përputhje me standardet e BE-së. ndërsa siç tha ajo “kemi tri thertore të kontraktuara në programin IPARD në thirrjen e parë, të cilat janë duke u implementuar tani”.
Duke u ndalur në treguesit e eksport importit të sektorit të bujqësisë, kryeministri Rama u shpreh se “edhe Rumania, Bullgaria dhe Kroacia kanë pasur problem për të marrë tregjet e eksporteve të BE-së, jo për shkak se nuk kishin thertore të tilla, por sepse kishte therje rruge dhe kjo është arsyeja pse ne kemi ngushtuar therjen në rrugë jashtë standardeve”.
Rama tha se “ka akoma raste të therjes individuale, por është tkurrur shumë, pasi ka qenë skandal dhe kjo do të sjellë që të rritet numri i thertoreve të certifikuara, volumi i punës dhe punësimi formal dhe pa diskutim siguria ushqimore”.
Kryeministri u shpreh se, “kemi një rritje të eksporteve për shumë prodhime bujqësore por te mishi vazhdojmë të kemi më shumë importe të larta sesa përballimi vetjak. Për shkak se jemi mishngrënës dinjitoz dhe duke pasur shumë të fragmentuar thertoret në vite, nuk është bërë që të ketë një kultivim masiv. Por jemi në një fazë ringritje”.
Thertorja e familjes Mnela, në Lezhë, ka rreth 400 krerë gjedhë kapaciteti i punës në këtë kompleks arrin deri në 1200 krerë në muaj. e.xh/ /a.g/