ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka sqaruar se fluturimet nga dhe drejt Tel Avivit në Izrael vijojnë sipas programit të planifikuar.

Në një njoftim zyrtar, TIA bën të ditur se dy fluturimet e ditës së sotme janë pjesë e programit veror, i cili zgjat deri në fund të tetorit, dhe nuk përbëjnë fluturime shtesë.Ndërsa thekson se “asnjë fluturim shtesë nga Tel Avivi drejt Tiranës, operimet vijojnë sipas skedulit”.

Sipas TIA-s, gjatë sezonit veror, tri linja ajrore operojnë mesatarisht 22-24 fluturime në javë nga dhe drejt Tel Avivit, pa shtim apo reduktim të frekuencave.

Për sezonin dimëror 2026-2027, kompania ajrore EL AL ka planifikuar dy fluturime në javë. Gjithashtu, kompanitë ajrore bashkëpunojnë me operatorë turistikë, të cilët prej kohësh sjellin turistë në Shqipëri.

TIA fton pasagjerët të konsultojnë faqen zyrtare të aeroportit dhe kanalet e kompanive ajrore për informacion të përditësuar mbi oraret dhe statusin e fluturimeve.