ATSH-Maela Marini/ “Tuneli i Llogarasë është pjesë e një mozaiku dhe  vizioni strategjik zhvillimi dhe zinxhiri projektesh që janë ndërtuar mbi bazën e një vizioni, jo ‘hajde të devijojmë rrugën se mos prishim shtëpitë e të tanëve’, siç ka qenë më parë”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama në shpalljen e garës ndërkombëtare për projektin inxhinierik të tunelit të Llogarasë.

Rama tha se “ky mozaik ka brenda të gjithë elementët e një tërësie që po merr formë hap pas hapi, nga aeroporti i Vlorës që është qendra e gravitetit të këtij vizioni strategjik te zhvillimi i vijës bregdetare të qytetit të Vlorës, që sot po shtrihet në segmentin e dytë”.

“Së shpejti fillon një segment i tretë, që kapërcen atë pikën ndarëse mes qytetit dhe pjesës tjetër duke shkuar deri në Radhimë me një gjurmë rruge e cila do të marrë një formë të re në një pjesë të saj për të krijuar një vazhdimësi të Lungomares në një pjesë tjetër dhe për ta kthyer të gjithë pellgun e mrekullueshëm natyror të Radhimës në një hapësirë zhvillimi të qëndrueshëm në atë zonë, ku për fat të keq është ndërtuar keq dhe pa një vizion të tërësishëm vit pa viti”, tha Rama.

Më tej, ai theksoi se “vjen segmenti që faktikisht lidh këtë aks që thashë me tunelin, që është rruga Orikum-Dukat, si dhe më pas me investimet e bëra në fshatrat e bregut”. “Do të vazhdojnë patjetër edhe më tej investimet e bëra në zonat ku ka aktivitet turistik pranë bregut. Po punohet me planin e zhvillimit në disa segmente, duke filluar nga një projekt që do të urbanizojë nga pikëpamja urbane gjithë bregun e Orikumit me një shëtitore dhe aks lëvizjeje të standardeve siç dimë t’i bëjmë ne, deri poshtë në Borsh”, tha Rama.

Ndërkohë, Rama tha se “aktualisht po punohet në shëtitoren e Sarandës dhe më tutje do vazhdojmë me realizimin e projektit në Ksamil, duke krijuar një lidhej tërësore të gjithë kësaj zone”.

“Nuk dua të lë pa përmendur bypass-in e Vlorës, ku ka nisur me një odise të pafundme, me një projekt që kalonte mbi varreza dhe që nënkuptonte që rruga e zhvillimit të kalonte mbi trupat e të vdekurve. Projekti i spostua nga një aks rruge i projektuar dhe i kontraktuar për të kaluar mbi varreza në një shteg, në një histori të tërë që lidhet me ridizenjim, shpronësime e me radhë. Po ashtu edhe me bypass-in e Fierit, tanimë një odise e përfunduar”, tha Rama.

Kryeministri u ndal te projekti i ri, xhevahiri më i madh i kurorës së gjithë projekteve të njëpasnjëshme që do të fillojnë të investohen, korridori Adriatiko-Jonian nga Miloti në Fier, duke kaluar përmes Thumanës dhe Rrogozhinës dhe më pas duke u lidhur me Shëngjinin, Velipojën, për të kaluar nga ana më panoramike e bregdetit drejt Malit të Zi”.

Rama siguroi se “në fund fare është siguria e të gjitha këtyre veprave, krejt ndryshe të ndërtuara nga rrugët e lëna rrugëve, janë rrugë me standarde komplet të tjera sigurie”.

Ndërkohë, Rama shtoi se “kemi pasur një dështim të dhimbshëm lidhur me një investim të rëndësishëm që duhet të kishte ndodhur, një investim i huaj në zonën e rivierës joniane ku pika më e fortë e refuzimit të investitorit ishte rrëpira e Llogarasë”. /a.g/