ATSH-I.Vata/ Parku kombëtar Bredhi i Drenovës në Korçë priti gjatë fundjavës turistë gjermanë të cilët ndodhen në Shqipëri.

Lajmi bëhet i ditur nga ADZM Korçë që përcolli dhe mbresat e tyre.

“Mbresa të mrekullueshme nga natyra magjepsëse  dhe dëshira për t’u rikthyer sërish ishin impresionet që morëm nga grupi i turistëve”, thuhet në njoftim.

Parku kombëtar “Bredhi i Drenovës” konsiderohet një nga parqet më të bukura natyrore në Shqipëri që vizitohet në të gjitha stinët nga turistë dhe kryesisht të huaj.

Këtë fundjavë ishin turistë gjermanë që “pushtuan” parkun kombëtar “Bredhi i Drenovës” që mbetën të mahnitur nga bukuritë e natyrës dhe diversiteti i florës dhe faunës të kësaj zone.

Parku kombëtar “Bredhi i Drenovës” ndodhet në qarkun e Korçës dhe në rrethin e Korçës. Sipërfaqja aktuale është 1,380.00 ha. Park me rëndësi të veçantë për shkëmbimin e elementëve faunistike dhe floristike të vendit tonë me ato të Greqisë.

Është bërthamë dhe biokorridor për rruazoret e mëdhenj, si ariu, ujku, kaprolli, duke fituar kështu vlera dhe rëndësi rajonale Ballkanike. Larmi habiatatesh: kullota natyrore subalpine dhe alpine, pyje të ahut , pishës , bredhit dhe lajthisë. Takohen mjaft bimë të rralla dhe subendemike. Zonë e peizazheve tërheqëse me potenciale të mëdha për turizëm natyror e kulturor dhe zhvillim të qëndrueshëm. /j.p/