TIRANË, 2 korrik/ATSH/  Natyra e bukur, deti kristal, por edhe pasuritë kulturore dhe historike të Shqipërisë kanë tërhequr vitet e fundit një numër të lartë turistësh nga Polonia.

Për turistët polakë, Shqipëria është një ndër destinacionet e tyre në të gjitha stinët e vitit, por sidomos në verë, kur u drejtohen plazheve të mrekullueshme që ndodhen përgjatë bregdetit tonë.

Edhe sipas statistikave zyrtare, ndër vendet që kanë patur hyrjet më të larta të shtetasve të huaj në Shqipëri, ka qenë edhe Polonia, e cila ka pasur një rritje të madhe të numrit të tyre.

Një pjesë e madhe e turistëve polakë vijnë në Shqipëri përmes paketave turistike, ndërsa të tjerë vijnë edhe në rrugë tokësore me autobuza apo automjetet e tyre. Në këtë mënyrë ata kanë mundësi të shëtisin në qytete të ndryshme të vendit tonë, duke vizituar përveç plazheve edhe monumente të ndryshme të kulturës.

Agjencitë e ndryshme turistike polake, ndër të cilat “ITAKA”, që është një ndër më të njohurat ka nisur promovimin e destinacioneve të tilla si Ksamilin, Sarandën dhe Durrësin.

Me paketa të gjitha të përfshira ose vetëm hotel dhe mëngjes, që nisin nga 280 euro dhe arrijnë deri në 500 euro për 9 ditë qëndrimi në vendin tonë, agjencitë turistike polake kanë publikuar ofertat për dy muajt, korrik dhe gusht të këtij viti ndërsa turistët do kenë mundësi të udhëtojnë pas datës 15 korrik nëpërmjet linjave ajrore dhe me autobus.

Agjencitë polake publikuan paketat e tyre turistike një ditë pasi Bashkimi Europian rekomandoi hapjen e kufijve për disa vende që nuk janë pjesë e BE-së, pas mbylljes së tyre për shkak të pandemisë COVID-19.

Ndërkohë që kompania e udhëtimeve  “LOT Polish Airlines” në një video të publikuar me destinacionet më të bukura në Europë ka renditur edhe Shqipërinë.

“Qytete të bukura prej guri, peizazhe të mrekullueshme natyrore, male fantastike dhe një kryeqytet të këndshëm. Nëse vizitoni Shqipërinë, mund t’i shihni të gjitha këto”, – shprehen agjencitë turistike polake.

Ndërkohë që faqja e njohur polake e udhëtimeve turistike, www.mywanderlust. shkruan se “ndërsa udhëtimet drejt disa prej destinacioneve më të preferuara në juglindje të detit Mesdhe nuk janë më të sigurta, njerëzit kërkojnë një alternativë më të mirë dhe shumica vendosin të vizitojnë Shqipërinë dhe ne e mbështesim shumë këtë ide”.

“Bregdeti shqiptar është i mrekullueshëm dhe plazhi i Ksamilit është tashmë një thesar i njohur në botë, por ky vend ka shumë më shumë për të ofruar. Aty ndodhen disa nga vendet më të bukura të Ballkanit”, – shprehet www.mywanderlust.

Ndonëse e e gjithë bota po përballet me pandeminë COVID-19, në vendin tonë vetëm në muajin qershor kanë hyrë 184 mijë turistë të huaj, ku pjesa më e madhe e të cilëve nga Kosova.

Vetëm pak ditë më parë, total-montenegro-news.com shkruante se turistë të huaj, të cilët do të preferonin të vinin në Mal të Zi, tashmë kanë zgjedhur destinacione si Shqipëria. Sipas Shoqatës së Hotelierëve dhe Apartamenteve të komunës së Ulqinit, masat më të favorshme të hyrjes të paraqitura nga Shqipëria kanë bërë që deri në 90% të kapaciteteve të saj turistike të plotësohet, krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërkohë, po sipas “Fly Montenegro’’ ka një interes të madh nga turistë nga Bjellorusia dhe Ukraina, nga ku rreth 100 000 turistë shkuan në Malin e Zi vitin e kaluar. Fluturimet nga këto vende tani po i drejtohen Shqipërisë pikërisht për shkak të masave.

Në vitin 2019 numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë ishte 6.4 milionë duke u rritur me 8,1 %, në krahasim me vitin 2018, ku dhe numri i turistëve polakë shënoi rritje me 40%.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.

ATSH