ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot gatishmërinë që të takohet me Presidentin Ilir Meta për çdo gjë nga integrimi deri edhe çështje të tjera, por theksoi ai “mjafton të mos jetë vendosja e një date zgjedhjesh sipas një kushtetute imagjinare”.
Gjatë prezantimit të kryenegociatorit për Zhvillimin e Negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Zef Mazi në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, kryeministri Edi Rama i pyetur nga gazetarët nëse e ka ftuar Presidentin Meta për të folur për integrimin, Rama tha se “integrimi është një proces, ka një hartë veprimi, stacione , ka ura ndërveprimi dhe në këtë drejtim mund të them po kemi qenë së bashku në tryezën e Këshillit Kombëtar të Integrimit edhe unë do jem në çdo stacion, në çdo pikë ku është e nevojshme prania ime. Presidenti do të bëjë zgjedhjen e tij, por përderisa ka qenë me siguri do jetë përsëri”.
“Në këtë drejtim do e shikoja unë këtë që kam shprehur si gatishmëri, patjetër në çdo rast kur është e nevojshme që të ulemi do ulemi dhe patjetër në çdo rast që Presidenti e ka të nevojshme që të komunikojë me mua për integrimin apo për çdo temë tjetër mjafton të mos jetë vendosja e një date zgjedhjesh sipas një kushtetute imagjinare, unë jam i gatshëm që të ulem”, – theksoi Rama.
I pyetur se kur mund të zhvillohet konferenca e parë ndërqeveritare me BE-në, Rama tha se “ua kam thënë e kam mësuar nga eksperienca mos vërë asnjëherë data në BE-në. Janë ata që i vendosin datat, që i ndryshojnë dhe shtyjnë datat. Boll i bëmë dy dasma gati dhe nuk na erdhën krushqit se kishin hallet e tyre. Më vjen mirë që u kuptua se nuk kishte lidhje fare me Shqipërinë shtyrja e dasmës, por kishte lidhje me ata. Konferenca do të bëhet kur ta vendosin ata, ne duhet të bëjmë detyrat, detyrat nuk i bëjmë për konferencën, por se janë gjëra që duhen bërë për vendin dhe mirë funksionimin e institucioneve. Kjo është e mira e madhe e këtij procesi. Ne nuk e bëjmë për ata, dhe ata këto detyra na i vënë sepse nuk janë ata që kanë kërkuar të integrohen në Shqipëri, por jemi ne që kemi kërkuar të integrohemi në familjen e tyre”.
/k.s/ /a.g/