ATSH/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar për herë të parë se kanë vendosur një armë hapësinore në orbitën e Tokës, duke pranuar publikisht se disponojnë kapacitete sulmuese në hapësirë, sipas BBC.

Sekretari i Forcave Ajrore të SHBA-së, Troy Meink, deklaroi se arma “në orbitë” ishte e nevojshme për të mbrojtur trupat amerikane nga veprimet armiqësore të kundërshtarëve. Ai foli në Konferencën për Ajrin, Hapësirën dhe Kibernetikën, por nuk dha detaje mbi funksionimin e armës apo kohën kur ajo u vendos në orbitë.

Meink theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të përballen me “kërcënime në zhvillim”, ndërsa udhëheqës të lartë ushtarakë amerikanë kanë paralajmëruar më herët për nevojën e forcimit të kapaciteteve ushtarake në hapësirë. Shqetësimet lidhen veçanërisht me programet e Rusisë dhe Kinës për zhvillimin e teknologjive që mund të sulmojnë ose pengojnë funksionimin e satelitëve amerikanë.

Kina reagoi të martën ndaj njoftimit amerikan, duke paralajmëruar për rrezikun e një gare armatimesh në hapësirë. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze i bëri thirrje Uashingtonit të ndalojë zgjerimin e kapaciteteve ushtarake dhe përgatitjet për luftë në hapësirën e jashtme.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë zbuluar se si funksionon arma.

Një zëdhënës i Forcave Hapësinore të SHBA-së shpjegoi se kontrolli i hapësirës përfshin përdorimin e mjeteve kinetike dhe jokinetike për të penguar, dobësuar ose, nëse është e nevojshme, shkatërruar kapacitetet e kundërshtarëve.

Eksperti i përdorimit ushtarak të hapësirës, Bleddyn Bowen  tha se ka shumë pak informacion publik mbi teknologjinë e përdorur.

Ai sugjeroi se arma mund të jetë një platformë për luftë elektronike ose bllokim të sinjaleve radio, e aftë të ndërpresë komunikimet e kundërshtarëve.

Një tjetër mundësi, sipas ekspertit, do të ishte një mjet kinetik që mund të përplasej me një satelit për ta shkatërruar.

Megjithatë, Bowen e konsideroi këtë variant më pak të mundshëm, pasi shkatërrimi fizik i satelitëve mund të krijojë sasi të mëdha mbetjesh të rrezikshme në orbitë.

Vendosja e armëve në hapësirë lidhet edhe me planet e administratës së presidentit Donald Trump për sistemin mbrojtës “Golden Dome”, i cili synon të mbrojë territorin amerikan nga raketat dhe kërcënimet e tjera ajrore.

Në vitin 2025, Trump kishte theksuar gjithashtu rolin e Forcave Hapësinore të SHBA-së jo vetëm në mbrojtje, por edhe në operacione sulmuese. /Ad.Ab./