ATSH/ Sektori i banesave në Shqipëri është një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë dhe sidomos asaj elektrike.
Në kuadër të eficiencës së energjisë, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për “miratimin e kërkesave minimale të performanceës së energjisë së ndërtesave dhe të elementëve të ndërtesave”.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi të gjithë ndërtesat e reja në Shqipëri duhet të plotësojnë kërkesat minimale të performancës së energjisë.
Gjatë aplikimit për të marrë leje ndërtimi në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, subjekti juridik projektues pajiset me certifikatën paraprake për performancën e energjisë për ndërtesën e projektuar nga audituesi energjetik i certifikuar nga AEE-ja.
Për ndërtesën e përfunduar, me qëllim marrjen e certifikatës së përdorimit të miratuar nga autoritetet shtetërore përgjegjëse, aplikanti paraqet raportin përfundimtar të auditimit të efiçencës së energjisë, certifikatën përfundimtare të performancës, të lëshuar nga Audituesi Energjetik i Certifikuar dhe regjistruar pranë AEE-së.
Po ashtu paraqet “deklaratën e përgjegjësisë profesionale”, nëpërmjet së cilës ai konfirmon dhe mban përgjegjësi për përputhshmërinë e projektit të përfunduar me legjislacionin në fuqi që përcakton kërkesat minimale për perfomancën e energjisë së ndërtesave.
Sipas studimeve, ndërtesat e vjetra konsumojnë mesatarisht në një vit Q=131 -325 kWh/m2 energji të përdorur për ngrohje, ndërsa ndërtesat e izoluara në një mënyrë standarte përdorin më pak se Q=120 kWh/m2.
/a.gjonaj/j.p/