Për Elbasanin ky 7 Mars nuk kujton vetëm ditën e mësuesit, por edhe vitin jubile të 115 vjetorit të çeljes së shkollës Normale. Për të nderuar këto dy data shumë të rëndësishme Fondacioni Hasan Prishtina i dhuroi shkollës Normale të Elbasanit memorialin e Hasan Prishtinës, i cili 115 vite më parë dhuroi të gjithë pasurinë e tij për të shkolluar në këtë Normale plot 70 djem, të cilët më pas do të përçonin Gjuhën Shqipe në të gjitha trojet shqiptare.

Drejtuesi i Fondacionit Hasan Prishtina, Pasardhës të partiotëve të asaj kohe, të pranishëm në këtë ceremony, dhanë mesazhin e plotësimit të amanetit të paraardhësve të tyre, amanet i cili kërkon bashkimin e shqiptarëve dhe një arsim gjithnjë e më shumë pranë standardeve të BE.

 

I pranishëm në këtë ceremoni, Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Hasan Prishtinës, ndërsa lartësoi vlerat e Normales së Elbasanit, të cilat i kalojnë kufinjtë e Shqipërisë. Vlerësimi për figurën e Hasan Prishtinës nuk mungoi as nga Këshilli i Qarkut Elbasan dhe Zyra Vendore Arsimore.

Në këtë ditë të rëndësishme për Normalen e Elbasanit morën pjesë normalistë dhe shumë vizitorë nga Kosova e Maqedonia, të cilët vizituan Muzen dhe u njohën me historinë e Normales. Sakaq, në këtë datë simbolike kryebashkiaku nderoi ish normalistët dhe mësuesit Tomorr Arianiti, Minerva Himci, Panjot Lena, Bleta Dervina për kontributin e shquar të dhënë në sistemin arsimor shqiptar dhe në edukimin e brezave të rinj.

Edlira Xherri