Boronicat janë të ëmbla, ushqyese dhe shumë të shëndetshme. Këto fruta kaq të vogla i bëjnë kaq mirë trupit dhe mendjes sonë. Boronica ndihmon trurin dhe zemrën, mbron sytë dhe lëkurën.

Në Shqipëri boronicat rriten të egra gjerësisht në trevat veriore të vendit. Por, boronicat e Tropojës, Kukësit dhe Pukës e kanë më të lehtë të tregtohen në Kosovë dhe Mal të Zi dhe që nga aty më pas shpërndahen në tregjet evropiane, sesa të zbresin poshtë në Tiranë apo dhe në çdo qytet tjetër në vend.

Arsyeja se pse boronicat nuk mbërrijnë dot në kryqytet dhe në çdo qytet të vendit është mungesa e dhomave frigoriferike për t’i mbajtur boronicat e freskëta. Udhëtimi prej disa orësh në automjete të zakonshme do të ishte fundi i freskisë së boronicave veriore shqiptare.

Antioksidantët që gjenden te boronicat, sidomos ato që rriten të egra në tokat shqiptare, janë aq të forta sa janë të afta për të neutralizuar radikalet e lira që lidhen me zhvillimin e disa sëmundjeve kardiovaskolare apo tumorale.

Pa yndyrna dhe me vetëm 84 kalori për një kupë, boronicat janë të pasura me fibra që të mbajnë të ngopur për një kohë të gjatë. Vetëm disa boronica përmbushin nevojën ditore për fibra. Për më tepër boronicat janë një burim i shkëlqyer manganezi, i cili luan një rol të madh në konvertimin e karbohidrateve dhe yndyrnave në energji.

Boronicat përmbajnë dhe shumë vitaminë C, e cila ndihmon në formimin e kolagjenit dhe ndihmon për të pasur mishrat e dhëmbëve të shëndetshëm. Gjithashtu boronicat, së bashku me luleshtrydhet mendohet se kanë një ndikim shumë pozitiv në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiake tek femrat.

AgroWeb ka përgatitur listën e vlerave më të mira të boronicave

1. Kanë pak kalori, por shumë vlera ushqyese

Boronica është një frut i vogël me ngjyrë blu të purpurt. Boronica janë të vogla, rreth 5-16 milimetra në diametër, dhe një kurorë të vogël në majë.
Ato janë ndër manaferrat më vlerat më të mëdha ushqyese. Një 1 kupë (148 gramë) boronica përmban; Fibër 4 gramë, 24% të nevojave ditore për Vitaminë C, 36% të nevojave për Vitaminë K, 25% të nevojave ditore për manganez. Ato kanë 85% ujë në përbërje.

2. Janë mbreti i ushqimeve antioksidante

Ato kanë kapacitetin më të lartë antioksidant ndër të gjitha frutat dhe perimet që konsumojmë zakonisht. Flavonoidët e gjendur tek boronicat janë përbërësi më i mirë antioksdant. Është vërtetuar se këta përbërës rrisin nivelin antioksidues brenda trupit.

3. Ulin dëmtimin e ADN-së, duke ndihmuar në mbrojtjen kundër plakjes dhe ndaj tumoreve

Dëmtimi i ADN-së është pjesë e jetës së përditshme. Thuhet se kjo ndodh dhjetra mijëra herë në ditë, në çdo qelizë të trupit. Dëmtimi i ADN-së është pjesë e arsyes që ne plakemi dhe ky dëmtim luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sëmundjeve tumorale.

Për shkak se boronicat kanë sasi të mëdha antioksidantësh, ato ndihmojnë të neutralizohen disa nga radikalet e lira që shkaktojnë dëmtimin e ADN-së tonë.

Në një studim që zgjati 4 javë, 168 pjesëmarrës pinë 1 litër përzierje të boronicës me lëng molle, çdo ditë. Ne fund të studimit, dëmtimi oksidativ i ADN-së, për shkak të radikaleve të lira, u reduktua me 20%.
4. Mbrojnë kolesterolin në gjak

Dëmtimi oksidativ nuk ndodh vetëm në qelizat tona dhe në ADN. Ky dëmtim është gjithashtu problematik kur lipoproteina (kolesteroli “i keq”) oksidohet.
Në fakt, oksidimi i kolesterolit të keq ndikon shumë në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës.

50 gramë boronica në ditë shërbyen për të ulur oksidimin e kolesterolit me 27% në disa pjesëmarrës të shëndoshë, pas një periudhe prej tetë javësh.

Antioksidantët përbërës të boronicave, duket se kanë ndikime pozitive në funksionimin e trurit duke vonuar edhe rënien e funksioneve të tij të lidhura me moshën. Foto: Flickr
5. Ulin presionin e gjakut
Në një studim, individë me rrezik të lartë për sëmundje të zemrës vërejtën një ulje 4-6% të presionit të gjakut (tensionit të lartë), pas konsumimit të 50 gramë boronica në ditë, për tetë javë.

6. Ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës

Është e rëndësishme të kuptohet se kur flasim për ulje të rrezikut përmes konsumit të boronicave, flasim për faktorët e rrezikut, jo për sëmundjet aktuale. Në një studim të vitit 2013, 93,600 infermierë konsumuan shumë antocinisis (antioksidantë kryesorë që gjenden te boronica) duke ulur me 32% rrezikun për atak të zemrës.

7. Ndihmojnë në funksionimin e trurit dhe në përmirësimin e kujtesës

Antioksidantët përbërës të boronicave duket se kanë ndikime pozitive në funksionimin e trurit duke vonuar edhe rënien e funksioneve të tij të lidhura me moshën.
Një studim që zgjati gjashtë vjet, ku morën pjesë 16,010 të moshuar vërtetoi se boronicat dhe luleshtrydhet vonuan plakjen me deri 2.5 vjet.

8. Kanë efekt anti-diabetik

Boronicat kanë shumë më pak sheqer krahasuar me frutat e tjera.

Një kupë përmban vetëm 15 gramë sheqer natyral, aq sa një mollë e vogël apo një portokall.

9. Përbërësit e boronicave ndihmojnë në luftën kundër infeksioneve urinare

Boronicat përmbajnë substanca që mund të parandalojnë veshjen e mureve të fshikëzës nga baktere të ndryshme. Këto përbërës janë të dobishëm në parandalimin e infeksioneve të traktit urinar.

10. Ndihmojnë në uljen e dëmtimit të muskujve pas stërvitjes

Stërvitja e fortë për trupin mund të çojë në dhimbje të muskujve dhe lodhje. Kjo nxitet pjesërisht nga inflamacioni dhe stresi oksidativ në indet e muskujve. Është e qartë se boronicat janë tepër të shëndetshme.
Konsumi i boronicave mund të zvogëlojë dëmin që ndodh në nivel molekular, duke minimizuar dhimbjet dhe reduktuar uljen në performancën e muskujve.

Fakti që ato janë të shijshme, me ngjyrë të bukur dhe mund të shijohen si të freskëta edhe të ngrira, i bën ato edhe më të mira./AgroWeb.org